Osmani thotë se Serbia po i përkrah politikisht e financiarisht strukturat ilegale
Lajm i përditësuar
Escobar shpreh mbështetjen për aspiratat euro-atlantike të Kosovës
Emisari i SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar tha se është krenar me Kosovën që ka kontribuar në procesin e dialogut si dhe në agjendën për demokraci dhe liri.
Ai po ashtu vlerësoi miqësinë mes Kosovës dhe SHBA-së, duke e cilësuar Kosovën si mike dhe aleate shumë të mirë.
“Miqësia varet edhe nga të gjithë dhe sa i përket kësaj pata dëshirë që të shpreh mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe për solidaritetin në kohë krize në Kosovë dhe për mënyra për ta thelluar këtë partneritet përfshirë edhe mbështetjen tonë për pjesëmarrjen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Jam shumë krenar që Kosova ka kontribuar për agjendën tonë të përbashkët dhe mendoj që ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikator i rëndësishëm se si Kosova po kontribuon në mënyrë pozitive për agjendën e përbashkët të demokracisë deh lirisë dhe e falënderoj Kosovën ju falënderoj juve që jeni nikoqire e kësaj ngjarje gjatë kësaj jave”, tha Escobar.

Osmani thotë se Serbia po i përkrah politikisht e financiarisht strukturat ilegale
Presidentja Vjosa Osmani dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, diskutuan një sërë çështje në interes të përbashkët në takimit që filloi rreth një orë më parë.
Osmani në një konferencë për media, tha se në takim potencoi rëndësinë e fillimit sa më parë të dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve, bazuar në iniciativën që ka ndërmarrë muaj më parë.
Po ashtu, presidentja në takim theksoi rëndësinë e mbështetjes së aleatëve amerikan në rrugën euro-atlantike të Kosovës.
“Në takim shpreha angazhimin për synimet e përbashkëta. Kosova mbetet e përkushtuar për të mbështetur me çfarë të mundet aleatët ndërkombëtarë në mbrojtje të paqes– përfshirë sanksionet kundër Rusisë”, u shpreh ajo.
“Sot diskutuam edhe nevojën për të ecur përpara në procesin e dialogut. Kam ritheksuar se Kosova është dhe gjithnjë ka qenë pala konstruktive ne kitë proces e po ashtu është e gatshme ta rrisim edhe më shumë angazhimin e saj në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut”, shtoi Osmani.
Escobarit, Osmani i shprehu pakënaqësitë dhe shqetësimin për mos zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë.
“Përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale të cilat vazhdojnë ti kërcënojnë dhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individ të sanksionuar nga Qeveria e SHBA-ve. Jo vetëm që Serbia ka refuzuar t’i shpërbëjë këto struktura, por në fakt vazhdojnë t’i mbështesin financiarisht dhe politikisht”, përfundoi ajo.
Fillon takimi Osmani-Escobar
Ka filluar takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, njëherësh të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Pas takimit pritet të ketë deklaratë për media.
Escobar sot do të takohet edhe me përfaqësuesit e opozitës./21Media