Osmani: T’i përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar

(Lajm i përditësuar)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka thënë se Kosova qëndron kampione e agjendës së këtij forumi.

“Atëherë këtu më lejoni ta bëj të qartë se Kosova qëndron si kampione, si flamurtare e kësaj agjende për shkak se përfshirja dhe përfaqësimi qëndrojnë si gur themeltar të të gjitha përpjekjeve që kemi ndërmarrë që nga dita e parë. Këtu desha të shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, për të gjitha institucionet kosovare që kanë punuar me ne për ta bërë këtë forum të suksesshëm, për organizatat e shoqërisë civile, për institucionet e sigurisë, për komunitetin akademik, mediat dhe të tjerët që janë përfshirë”, tha Osmani.

Ajo tha se ky edicion i forumit është unik në shumë aspekte.

“Përzgjedhja e dy temave kyçe për këtë edicion, nga njëra anë dhuna seksuale në lidhje me konfliktin dhe siguria klimatike në anën tjetër, nuk janë rastësi dhe në përpjekjet tona natyrisht kemi adresuar të gjitha sprovat e kohës por na duhen edhe leksionet e të kaluarës në mënyrë që të ballafaqohemi suksesshëm me të ardhmen. Në këtë sfond të konfliktit, kufizimeve shoqërore dhe trazirave kulturore është e rëndësishme që t’i përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar, për t’i mbështetur dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha gratë kudo qofshin njëherë e përgjithmonë”, tha presidentja.


Osmani pret liderët rajonal në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po pret liderët rajonal në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë.

I pari që erdhi ishte homologu i saj, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, pastaj kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Ndërkaq do të pres edhe presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.

Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë erdhi edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, si dhe shumë delegacione të tjera ndërkombëtare.

Forumi do të fillojë pas pak, ku punimet pritet t’i hap e para e vendit, Vjosa Osmani.


Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mbledh në Prishtinë pjesëmarrës nga mbi 40 shtete

Edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka filluar në Prishtinë, në kohën kur paqja dhe siguria sulmohen në pjesë të ndryshme të botës, ku gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Ky edicion do të mirëpresë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete botërore me rreth një mijë pjesëmarrës.

Forumi WPS 2024 sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në agjendën e WPS gjatë kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë e kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.

Ky edicion i forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike.

Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej agjendën e WPS.

Si iniciativë e presidentes Osmani, ky forum përfaqëson një nga angazhimet në anën e institucioneve të Kosovës për Samitin për Demokraci dhe do të shërbejë për shkëmbimin e praktikave më të mira, si dhe për zhvillimin e strategjive dhe hartimin e kornizave të reja veprimi në vazhdën e një arkitekture gjithnjë në ndryshim të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe përtej.

Agjenda e forumit për ditën e parë:

Ceremonia e hapjes bëhet nga ora 10:00-11:00 në hotelin “Emerald”, me video-adresime speciale, pasuar nga ceremonia e nënshkrimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, nga ora 11:00- 11:30. Nënshkruesit do të jenë presidentja Vjosa Osmani me Zyrën e sekretarit amerikan për Çështjet Globale të Grave (S/GWI) të sekretarit amerikan Antony Blinken, me praninë e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë Jeffrey Hovenier.

Në rendin e ditës janë diskutimet: 24 vjet të Agjendës së WPS: Një histori nga fillimi në zbatim (ora 11:35-11:55), Dëgjo zërin tim (Ora 12:00-12:10), ceremonia e ndarjes së medaljeve presidenciale (Ora 12:15-12:25), Zërat kanë rëndësi: Një thirrje globale për t’i dhënë fund dhunës seksuale të lidhur me konfliktin (13:45-14:45- salla Beethoven), Rivendosja e ciklit të mosndëshkimit: avancimi i përgjegjësisë për dhunën seksuale të lidhur me konfliktin (13:45-14:45, salla Strauss1), sesioni special Si të rritet roli i grave në proceset e paqes? (15:00-16:00), Uniforma dhe të paepur: Gratë që udhëheqin ndryshimet në sektorin e sigurisë (16:15-17:15, salla Beethoven), Fundi i heshtjes? Krijimi i sistemeve mbështetëse për të mbijetuarit (ora 16:15-17:15, salla Strauss 1), Nxitja e inovacionit pozitiv: Përparimi rezistenca ndaj klimës, mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i konflikteve me teknologjinë gjithëpërfshirëse (Ora 16:15-17:15, salla Strauss 2).

Dita e parë e punimeve do të përmbyllet me diskutimet Efektet Ripple të CRSV në pëlhurën sociale dhe shëndetin mendor (17:30-18:30, salla Beethoven) dhe Zgjidhje gjithëpërfshirëse: Dialog mbi agjendën e WPS dhe drejtësinë klimatike (17:30-18:30, salla Strauss 1).

Agjenda e forumit për ditën e dytë

Dita e dytë e punimeve nis me tryezën e rrumbullakët: Nga legjislacioni në veprim: Parlamentarët në ballë të agjendës së WPS (08:15-09:15), për të vazhduar me “Mendoj për ty” nga Alketa Xhafa Mripa me praninë e presidentes Osmani, një ftesë e hapur për të gjithë për t’iu bashkuar nismës kushtuar adresimit dhe sfidimit të stigmave që rrethojnë dhunën seksuale në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, Medica Kosova, Medica Gjakova & Qendra për Promovim të të Drejtave të Grave (09:30-09:45), Zërat e Trimërisë: Gratë e Rezistencës së Kosovës (10:20-11:20), Zgjidhjet revolucionare klimatike për komunitetet e vijës së parë (11:30-12:30, salla Beethowen), Formësimi i rrëfimeve, rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i llogaridhënies – roli i medias në adresimin e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin (11:30-12:30, salla Strauss 1), Ngjarja anësore: Udhëtimi i të mbijetuarve meshkuj nga lufta trauma për t’i dhënë fund heshtjes (11:30-12:30, salla Strauss 2), Refugjatët, ndryshimet klimatike dhe dhuna seksuale: Adresimi i dobësive dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë (12:45-13:45, salla Strauss 1), Sigurimi i mbrojtjes për gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut në kohën e konfliktit (12:45-13:45, salla Strauss 2), Rimendimi i sigurisë përmes financimit adekuat: Përparimi qasje efektive për të trajtuar kërcënimet e sigurisë (15:15-16:15, salla Strauss 1), Siguria e klimës: Si të adresohen sfidat klimatike duke vendosur gratë në zemër të proceseve të sigurisë? (15:15-16:15, salla Strauss 2), Ngjarja anësore: Gratë e Afganistanit (15:15-16:15, salla Verdi).

Ceremonia e mbylljes së WPS 2024 – Udhëzime të reja për Agjendën e grave, paqes dhe sigurisë (WPS): Çfarë vjen më pas, ora 16:30-17:30.

Back to top button