Pa licencë nga BQK, aktiviteti me kripto-asete pas marsit konsiderohet shkelje ligjore

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka rikujtuar se Rregullorja për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve me aktivitet këmbimi ka hyrë në fuqi më 29 nëntor 2025, duke shënuar hapin e parë drejt rregullimit gradual të këtij sektori dhe rritjes së transparencës në Kosovë.
Me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, subjektet që i nënshtrohen licencimit janë të obliguara që brenda një afati prej 90 ditësh, përkatësisht deri më 1 mars 2026, të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për aplikim për licencë dhe për përshtatje të plotë me kërkesat e përcaktuara.
BQK thekson se afati i mbetur deri më 1 mars 2026 është afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve për licencë dhe për përmbushjen e kërkesave të rregullores gjatë periudhës kalimtare. Pas skadimit të këtij afati, ushtrimi i veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve të kripto-aseteve pa licencë të BQK-së, ose në mospërputhje me kërkesat rregullative, do të konsiderohet shkelje dhe do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
BQK inkurajon të gjitha palët e interesuara që t’i përmbushin detyrimet e tyre brenda afateve të përcaktuara, me qëllim të sigurimit të një zbatimi të plotë dhe efektiv të kornizës rregullative, si dhe të funksionimit të qëndrueshëm dhe transparent të sektorit të kripto-aseteve në Republikën e Kosovës.