Kuvendi miraton Projektligjin për Fondin Sovran

(Lajm i përditësuar)


Kuvendi i Kosovës me 61 vota për ka miratuar në parim Projektligjin për Fondin Sovran, në seancën e sotme plenare.

I njëjti u konsiderua si një nga reformat më të mëdha për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Krahas kësaj Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ndërmjetësim.


Kurti largohet nga Kuvendi, seanca vazhdon

Kryeministri Albin Kurti po largohet nga objekti i Kuvendit të Kosovës, teksa po vazhdon seanca plenare.


Miratohet Ligji për pagën minimale

Me 60 vota për e një abstenim është miratuar Ligji për pagën minimale. Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro. Në votim nuk është mbështetur asnjë amendament.

Për këtë ligj votuan vetëm deputetët e mazhorancës, ku 60 prej tyre votuan pro, kurse një deputet abstenoi.

Të pranishme për këtë ligj nuk ishin deputetët e partive opozitare, të cilët pas zhvillimeve të sotme në Kuvend lëshuan sallën plenare.

Për të hyrë në fuqi, projektligji pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit.

Paga minimale në Kosovë sillet nga 130 deri në 170 euro.


Kuvendi miratoi Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Pro miratimin të këtij projektligji votuan 61 deputetë nga mazhoranca, derisa dritë e gjelbër iu dha edhe disa amendamenteve të këtij projektligji.

Në momentin e votimit të projektligjin nuk ishin të pranishëm deputetët e partive opozitare.

Krahas kësaj, deputetët e mazhorancës miratuan në lexim të dytë edhe Projektligjin për procedurën përmbarimore dhe disa projektligje të tjera.


Rrahje në Kuvend mes LVV-së dhe PDK-së


Partitë opozitare lëshojnë seancën, Kuvendi vazhdon punimet

Deputetët e partive opozitare kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës, duke mundësuar vazhdimin e seancës plenare.

Ata kanë lëshuar sallën sapo ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme dhe ka nisur koha e pyetjeve parlamentare.


PDK tërhiqet nga foltorja e Kuvendit, vazhdon seanca 

Deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës, e kanë liruar foltoren e Kuvendit të Kosovës, ndërsa seanca për momentin është duke vazhduar normalisht.

Kjo erdhi pasi që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është larguar nga seanca e Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila theksoi se me largimin e Bislimit, janë plotësuar kushtet për vazhdim normal të seancës.

“Nxitësi kryesor i dhunës sot është zëvendëskryeministri, zotëri Besnik Bislimi. Më vjen mirë që e lëshoi sallën. Rezistenca jonë këtu dhe bllokimi, ka qenë pikërisht që ai dhe të tjerët ta kuptojnë që nuk munden me ardh këtu dhe me ofendu e dhunu deputetë në çfarëdo mënyre që ata mendojnë që duhet ta bëjnë ose mund ta bëjnë. Meqë zotëri Bislimi lëshoi sallën dhe kërkesa jonë u plotësua, mendoj që tani janë kushtet normale për me vazhdu seanca. Jo me u votu e me vazhdu seanca nën presionin e policisë këtu brenda, sepse është shkelje e rregullores. Nuk jemi në masa të dhunshme, kurrkush kurrkënd s’e dhunoi. E dyta: unë e ftoj kryeministrin e Kosovës, të vijë e të na sqarojë për krejt çka neve jemi brengos dhe kemi ngrit sot si çështje në mëngjes dhe që është raporti me Radojçiqin dhe instrumenti juaj, zonja Kusari”, tha Hoxha.

Më herët, deputetet e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Filloreta Zejnullahu, kanë ndërprerë fjalën e kryetarit Glauk Konjufca, gjatë kohës sa ai hidhte në votim amendamentet e projektligjit për produktet medicionale.

Ata gjatë gjithë kohës kanë i kanë ndërprerë fjalën Konjufcës me thirrjet “Zdravo qeveria nuk kalon”.


Konjufca u jep vërejtje me paralajmërim për largim deputetëve të PDK-së

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u ka dhënë vërejtje me paralajmërimin për largim nga seanca plenare deputetëve të PDKL-së, pasi kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës për lirim të foltores së Kuvendit.

Seanca po vazhdon me votimin e amandamenteve.


Sërish përplasje në Kuvendin e Kosovës

Sërish tensione në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e pushtetit me ata të PDK-së janë konfrontuar.

Fillimisht janë tërhequr mes vete deputeti i VV-së, Sali Zyba, dhe ai i PDK-së, Rashit Qalaj. Më vonë tensione pati edhe mes Hajdar Beqës së PDK-së dhe një deputeti të pushtetit.

Tensionet në Kuvendin e Kosovës kanë vazhduar ku deputetët opozitarë kanë hedhur sërish ujë dhe shishe ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Të gjithë deputetët po qëndrojnë në afërsi të foltores në Kuvend. Të pranishëm janë edhe forcat e sigurimit.

Ndërsa janë dëgjuar thirrje për ndërprerje të seancës.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by RTV21 Official (@rtv21)


Sërish tensione në Kuvendin e Kosovës

Mes tensioneve në Kuvend, ka filluar seanca e jashtëzakonshme për ligjin për çmimet e produkteve medicinale.

Përderisa Konjufca ka mbajtur fjalimin e hyrjes së seancës, deputetë të opozitës kanë vazhduar të mbajnë të bllokuar foltoren.

Pasi ka marrë fjalën deputeti Adnan Rrustemi, deputetët e PDK-së ia kanë hequr mikrofonin duke ia pamundësuar fjalimin.

Deputetët po mbajnë në duar dy fotografi atë të kryeministrit Kurti dhe shefes së GP të VV-së Kusari-Lilës me hundë të gjatë e me mbishkrimin “zdravo” [‘Përshëndetje’ në gjuhën serbe].


PDK sërish e bllokon foltoren në Kuvend

Deputetët e PDK-së e bllokuan foltorën e Kuvendit të Kosovës, pasi u njoftuan se do të vazhdojën me seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga deputetët e VV-së.

Deputetët opozitarë nuk u pajtuan që të fillojnë seancë të re pa e përfunduar seanca paraprake.

PDK-së në bllokim të foltores i janë bashkuar edhe disa deputetë të AAK-së.

Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.


PDK dhe LDK kërkojnë ndërprerjen e seancës, LVV nuk pajtohet

Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, kanë kërkuar që të ndërpritet seanca e sotme, pas kthimit në sallë, për shkak të dhunës së shfaqur sot.

Megjithatë kryetari Glauk Konjufca tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pasi mazhoranca (LVV) dëshiron që të vazhdojë kjo seancë.


Konjufca: Kurti hoqi dorë nga fjala e tij me qëllim të uljes së tensioneve

Kryekuvendari Glauk Konjufca ka rifilluar seancën me një fjalim, pas dy orësh pauzë.

Konjufca tha se kryeministri Albin Kurti ka hequr dorë nga fjalët e tij në Kuvend, për të shtensionuar situatën pas dhunës.

“Bisedova edhe me kryeministrin, ai po heq dorë nga fjala e tij e nëse ne kemi mirëkuptim për të vazhduar me një pikë tjetër, e tejkalojmë atë pjesën tjetër dhe vazhdojmë të pyetjet parlamentare. Këtë mendoj se e presin qytetarët prej nesh, e për të tjerat duhet të merren organet kushtetuese. Ju lus për këtë kapitull të ri që duhet të hapet. Pas këtyre veprimeve uroj të mos përsëriten më. Nëse e kam këtë mirëkuptim mirë, nëse jo, do të ishte ogur i zi për Kosovën, i cili mendoj se na çon në faza krejt të paparashikueshme, edhe për Kosovën edhe për qytetarët”, tha Konjufca.

“A është për deputetin si posti më fisnik në vendin tonë e denjë një sjellje e tillë. Në shpirtin e secilit e ndjej se po mendoni kështu”, shtoi ai. /21Media


LDK: Pamjet e shëmtuara të dhunës s’e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rrahjes së sotme në Kuvendin e Kosovës. LDK ka potencuar se pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës.

“Nuk e kanë pasur asnjëherë – as në të shkuarën – as tani. Sot, ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës. Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përpalsjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj.”, është bërë e ditur në komunikatën për media.

LDK ka shtuar se do të vazhdojë,të mbrojë dhe ushtrojë vlerat bazike demokratike e shtetare “në çdo sjellje të saj, brenda sallës së Kuvendit të Republikës dhe jashta saj.”.


Deputetët e LVV-së dhe PDK-së kthehen në sallën e Kuvendit

Deputetë nga radhët e LVV-së dhe PDK-së janë kthyer në sallën e Kuvendit, për të vazhduar me 31 pikat e parapara, pas një pauze dy-orëshe për shkak të përleshjes në masë nga anëtarët e po këtyre dy partive ndërmjet vete.


Korenica: Në Kuvend duhet të flasim me gjuhën e argumentit dhe jo të forcës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korencia ka reaguar pas rrahjes në Kuvend, duke thënë se është e papranueshme që të ndodhin skena të tilla.

Korenica ka thënë se deputetët duhet të përleshen me gjuhën e argumentit sa i përket kundërshtimeve politike dhe jo me atë të forcës.

Deputeti nga partia në pushtet, Korencia para mediave nuk mohoi se veprime provokuese ka pasur edhe në kohën sa kanë qenë në opozitë, mirëpo shtoi se përleshjet fizike siç ndodhën sot, nuk do të duhej të ndodhnin asnjëherë në Kuvend.

I njëjti tha se kjo në arenën ndërkombëtare do t’i kushtojë shumë mbarëvajtjes së hapësirës brenda Kuvendit.

“Natyrisht se ngjarja është shumë e papëlqyeshme dhe skena të tilla nuk do duhej të ndodhnin në Kuvend. Deputetët duhet të përleshen me gjuhën e argumentit sa i përket kundërshtimeve politike që mund t’i kenë karshi pozitës, pra opozita. Kjo në arenën ndërkombëtare do t’i kushtojë bajagi shumë mbarëvajtjes së hapësirës brenda Kuvendit që do duhej të ishte për të gjitha institucionet e tjera si do duhej të silleshin përbrenda, sepse në fund jemi përfaqësues të qytetarëve. Uroj që kjo të jetë një e kaluar e hidhur, por mos të përsëritet më. Brenda Kuvendit duhet të flasim me gjuhën e argumentit dhe jo të forcës, sepse kjo nuk i shërben askujt, aq më pak shtetit tonë i cili me të gjitha mundimet e sakrificat ku kemi ardhur në këtë situatë po mundohemi t’i tejkalojmë barrierat që kemi përpara”, tha Korenica.

Korenica ka kërkuar nga të gjithë deputetët që të kontribuojnë për të mirën e vendit, dhe të sillen në mënyrë të civilizuar brenda përgjegjësive që kanë si përfaqësues të popullit. Ndërkaq, për veprimet e ditës së sotme, ai tha se janë organet kompetente që do t’i gjykojnë.

Sipas tij, është e pranueshme që dikujt të mos i pëlqej shtrimi i sovranitetit në mënyrë të plotë në Kuvend.

“Nuk isha prej fillimit, dhe nuk është në përgjegjësinë të gjykojë, sepse janë organet që do gjykojnë gjithë çfarë ka ndodhur brenda. Duhet të sillemi në mënyrë të civilizuar brenda përgjegjësive që kemi si përfaqësues të popullit. Provokime do ketë çdoherë. Sigurisht se dikujt mund të mos i pëlqej shtrimi i sovranitetit në mënyrë të plotë në Kuvend, dikush edhe e sheh ndryshe ndoshta veprimin e Qeverisë, por natyrisht që nuk kërkojmë të mendojë njëjtë, megjithatë të mundohemi secili prej nesh të japim kontributin tonë në mënyrë që vendi të ec përpara”, vijoi Korenica.

Korencia tha se provokime të ndryshme ka pasur edhe në kohën sa ka qenë qeveria në opozite, mirëpo sipas tij, përleshjet e tilla fizike nuk do duhej të ndodhnin më.

“Provokime ka pas nga fillimi seancës, nuk them se ka filluar nga zëvendëskryeministrit. Pra, vendosja e fotografisë është provokim. Nuk po mohoj çfarë ka ndodhur në të kaluarën, ne kemi gjuajt edhe me vezë në të kaluarën e me sprej… Përleshjet fizike në asnjë formë nuk do duhej të ndodhnin në Kuvend”, tha mes tjerash Korenica.

Duke folur për përleshjet që ndodhën në Kuvend, Korenica tha se pas pauzës rrjedha e seancës do duhej të kthehet në normalitet.


Muja: E gjitha kjo vjen si rezultat i luftës së suksesshme ndaj krimit kudo

Njëri nga deputetët e LVV-së të përfshirë në kaosin e sotëm në Kuvend, Armend Muja, ka thënë se PDK zgjodhi momentin tash, “sepse nuk duan ta lënë Kosovën t’i fitojë betejat që duket se do t’i fitojë”.

“Krimi i organizuar në 3 fronte: PDK sulmoi në Kuvend. Paterica PSD sulmoi jashtë Kuvendit. Baton Haxhiu e Berat Buzhala sulmojnë nëpër studio televizive e portale. E gjitha kjo vjen si rezultat i luftës së suksesshme ndaj krimit jo vetëm në veri por edhe në Prishtinë e kudo. Kumbarët e krimit, pavarësisht etnive, kanë mbështetur dhe mbështesin njëri-tjetrin. Ky është koncerti i krimit të organizuar i ditëve të sotme që në fakt është krimi i organzuar i gjithë viteteve të pasluftës që askush nuk ua prishi tymin e duhanit”, shkroi Muja në Facebook.

“Është i qartë frustrimi i tyre. Është i qartë shpërthimi i tyre”, shtoi ai.


VV i quan deputetët e PDK-së “bandë rrugaçësh”: Dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se “krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetushmërisë në Republikë”, në një reagim ndaj dhunës në Kuvend.

“Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht”, ka shkruar partia në pushtet.

“Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës”.

LVV tha se ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zëvendës ministër të kontrolluar nga Beogradi.

“Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë. Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla”, thuhet tutje në reagim.

Krejt në fund, LVV tha se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për drejtësi dhe “kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë e shtetin tonë për t’u pasuruar padrejtësisht, nuk do të amnistohen”.

Deputetja e VV-së: A po shkojmë për 80%?

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar pas dhunës në Kuvend mes LVV-së dhe PDK-së.

“A po shkojmë për 80%?”, ka pyetur deputetja në Facebook, duke aluduar në numrin e votave për LVV-në në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo më pas po ashtu shpërndau një fotografi të kryeministrit Albin Kurti, duke shkruar: “I patrembur përballë krimit të 20 vjetëve!”.

Lushtaku: Reagimi im ishte kundër Radojçiqit dhe argatëve të tij

Rreth dhunës në Kuvend ka folur tani edhe vetë Mërgim Lushtaku, i cili e filloi kaosin duke e sulmuar kryeminsitrin Albin Kurti me ujë.

Lushtaku tha se reagimi i tij ishjte kundër Radojçiqit dhe “argatëve të tij”.

“Reagimi im ishte kundër Radojçiqit dhe argatëve të tij”, shkroi Lushtaku në Facebook.


Tahiri: Grushtet e pushtetit ndaj deputeteve janë akti i fundit para kapitullimit

Deputeti i PDK-së Ableard Tahiri ka reaguar pas dhunës në Kuvend mes LVV-së dhe PDK-së.

Tahiri tha se “grushtet e pushtetit ndaj deputeteve janë akti i fundit para kapitullimit”.

“Pra, tash është e qartë se pushtetit të koordinuar mes Kurtit e Radojçiqit po i shihet fundi”, shkroi ai në Facebook.


Pacolli: Opozita sulmoi Kurtin kur po fliste për arrestimin e kriminelëve serbë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, pas rrahjes në Kuvendin e Kosovës ka thënë se sulmi ndodhi kur kryeministri Albin Kurti po fliste për shtrirjen e sovranitetit në veri.

Pacolli në një postim në Facebook ka shkruar se ky fjalim i Kurtit i pengoi opozitës, ndërsa shkroi se krimi e korrupsioni në veri nuk kalon më.

“Kryeministri po tregonte për shtrirjen e sovranitetit dhe kontrollit në veri, për stacionet e reja të policisë, për arrestimin e kriminelëve serb dhe luftimin e krimit të organizuar POR kjo siç u pa po i pengon opozitës prandaj sulmuan. Krimi e korrupsioni në veri më nuk kalon”, ka shkruar Pacolli.


Cakolli (KDI): Me ngjarjen në Kuvend sot Kosova u bë gaz i botës

Pas pamjeve që sot kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës sipas Eugen Cakolli nga KDI Kosova është bërë gaz i botës.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se qytetarët e vendit nuk e meritojnë një gjë të tillë.

“Ata deputetë e anëtarë të ekzekutivit që me dhunë ose provokime i zgjidhin mospajtimet, s’i meritojnë ato mandate e ato pozita”.


PDK dënon ashpër sulmin e zëvendëskryeministrit Bislimi ndaj deputetëve të PDK-së

Partia Demokratike ka dënuar sulmin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ndaj deputetëve të PDK-së, ani se deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku ka qenë i pari që e ka sulmuar me shishe Bislimin,

“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.  Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës.  Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, thuhet tutje në reagim.

“Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti.  Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkoj në shtëpi një orë e më parë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një Qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik”, përfundon reagimi.


Shtohet prezenca e Policisë jashtë sallës së Kuvendit

Jashtë sallës të Kuvendit të Kosovës është shtuar prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, edhe te shkallët që çojnë në sallën e kuvendit, është pozicionuar sigurimi i kuvendit, të cilët nuk po lejojnë lëvizjen pa përcjellje.

Disa minuta më parë, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.


Rrahje në Kuvend mes deputetëve të opozitës dhe ministrave

Një rrahje e madhe sapo ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, ku gjatë fjalimit të Kurtit, deputetët e opozitës e kanë sulmuar me ujë kryeministrin Albin Kurti e më pas ministrat janë përfshirë në dhunë me deputetët e PDK-së.

Rrahja ndodhi përderisa Kurti po thoshte se fletëarresti për Milan Radojçiqin është tërhequr më 19 shkurt të vitit 2021, pesë ditë pas zgjedhjeve, nga Qeveria Hoti.

Kurti më pas u sulmua me ujë nga deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ndërkohë që zëvendës kryeministri Besnik Bislimi e gjuajti më pas Lushtakun me një shishe. Pas kësaj deputetët e PDK-së dhe minsitrat u përfshinë në rrahje masive. /21Media

 

Back to top button