Pagat e minatorëve të Trepçës do të ekzekutohen të hënën

Pagat e minatorëve të Trepçës për muajin korrik do të ekzekutohen të hënën. Kjo, falë subvencioneve të ndara nga Ministria e Ekonomisë për punëtorët e Ndërmarrjes Trepça Sh. A. Këtë e ka konfirmuar  Enis Abdurrahmani, u.d. kryeshef ekzekutiv i Trepçës.

Sipas tij, ndërmarrja Trepça në gjysmën e parë të këtij viti është ballafaquar me krizë të rënies së çmimeve të metaleve në bursë, si dhe me rënien e produktivitetit.

Por, përkundër kësaj, shtoi ai, Trepça i ka ekzekutuar pagat e punëtorëve në tërësi falë subvencioneve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Abdurrahmani tha se ndërmarrja gjatë muajve të kaluar i është nënshtruar ristrukturimit dhe sistematizimit në të gjitha njësitë biznesore të saj, ku rezultatet do të duken muajt në vijim.

Ai ka përmendur edhe miratimin e rregullores për pagat, e cila kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të produktivitetit, prodhimit dhe të hyrave.

“Trepça si shoqëri aksionare po ristrukturohet, në muajt që lëmë pas, ndërmarrja i është nënshtruar ristrukturimit dhe sistematizimit në të gjitha njësitë biznesore të saja. Rezultatet e ristrukturimit do të shihen në muajt në vijim përmes rritjes së produktivitetit dhe të hyrave financiare, si dhe reduktimit të shpenzimeve. Trepça Sh.A. shpejt pritet të miratojë një rregullore të pagave, që kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të produktivitetit, prodhimit dhe të hyrave. Kjo rregullore do të mundëson edhe shpërblimin e punëtorëve përmes bonuseve, në rastet kur do të tejkalohet plani i të hyrave financiare”, ka thënë Abdurrahmani për kp.

Kryeshefi ekzekutiv vuri në dukje papërgjegjshmërinë e disa punëtorëve të cilët përmes bojkotit në punë gjatë dy ditëve të kaluara për shkak të vonesës së ekzekutimit të pagave, i kanë shkaktuar ndërmarrjes humbje ditore në vlerë prej rreth 40 mijë euro.

Andaj, siç u shpreh ai, menaxhmenti ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të sanksionuar veprimet e dëmshme si rezultat i bojkotit në punë të disa individëve.

“Këto dy ditë si pasojë e vonesës të ekzekutimit të pagave për punëtorët e ndërmarrjes, kemi pas bojkotim të punës nga ana e punëtorëve. Përkundër premtimit të menaxhmentit se pagat do të ekzekutohen të hënën, falë subvencione të ndara nga Ministria e Ekonomisë për punëtorët e ndërmarrjes Trepça Sh.A. Kjo papërgjegjshmëri e punëtorëve e manifestuar përmes bojkotit në punë, ndërmarrjes po i shkakton humbje ditore rreth 40,000.00 euro. Menaxhmenti tashmë i ka marr të gjitha masat e nevojshme ligjore për të sanksionuar veprimet e dëmshme si rezultat i bojkotit në punë. Për bojkotin në punë është njoftuar Policia e Kosovës përmes tyre edhe prokurori i rastit. Të hënën, nga menaxhmenti i ndërmarrjes do të ndërmerren të gjitha veprimet tjera ligjore sipas ligjeve të Republikë së Kosovës. Për menaxhmentin e ndërmarrjes, bojkoti dhe sabotimi në punë është i papranueshëm, si rezultat për dëmet dhe humbjet materiale dhe financiare ndaj ndërmarrjes do të japin llogari para drejtësisë të gjithë akterët, personat fizikë apo juridikë”, potencoi kryeshefi Abdurrahmani.

Back to top button