Pahor për “non pape”r: Nuk pajtohem për ndryshimin e kufijve

 

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka thënë se është plotësisht kundër “non paper” të publikuar nga mediat sllovene.

Ai në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani ka folur edhe nëse do të ofrojë garanci në Gjykatën Speciale.

“Nuk mund të them asgjë sepse këtë gjë nuk e njoh. Me porositë e non paper për ndryshimin e kufijve nuk pajtohem. Qëndrimi im lidhur me këtë është plotësisht i kundërt që të mos bisedohet për alternativa të tilla. Unë dëshiroj të bind bashkëbiseduesit në BE dhe Ballkanin që të vazhdohet me procesin e zgjerimit”, ka thënë Pahor.

Portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi muajin e kaluar një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit të dalë nga zyra e kryeministrit slloven Janez Jansha.

Sipas atij dokumenti propozohet ri-përcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.

Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë.

Kryeministri Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, ka thënë se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.

Ndërsa non paper i dytë u raportua më 26 prill si njohje e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, dokumenti “non paper” – i mohuar zyrtarisht – përfshin shumë më shumë se kaq. Thotë se do të krijohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, që nga përshkrimi duket me kompetenca gati sa të shtetit. Përdoret termi “Kosovë Veriore”, e jo veriu i Kosovës. Pastaj thuhet se palët, pra Kosova e Serbia, duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese që të mund të zbatohet kjo marrëveshje.

Bashkimi Evropian mohon se dokumenti “non paper” i publikuar në media e që flet për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë është qëndrim i Bashkimit Evropian.

Dokumenti “non paper” është quajtur nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde si lajm i rremë, se ai dokument është hartuar nga gjermanët dhe francezët.

Edhe Ambasada e Francës në Kosovës ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non paper” dhe se dy shtetet mbështesin ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.

Back to top button