​Panairi i Turizmit – Kosova promovohet destinacion me potencial të lartë turistik

Në kuadër të edicionit të katërt të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025”, sonte është mbajtur gala-mbrëmja me përfaqësues nga sektori i turizmit vendor dhe ndërkombëtar.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, tha se Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Kosovë po jep rezultate konkrete, pasi ka numër rekord të pjesëmarrësve.

“Sot ka qenë ditë e ngarkuar por me rezultate pozitive. Jam i nderuar që shoh këtu një numër kaq të madh të bizneseve duke filluar nga bizneset e industrisë së turizmit të Kosovës e duke vazhduar me 15 shtete të tjera që shumica prej tyre janë të pranishme këtu…Po shihet se panairi ndërkombëtarë i turizmit tashmë po jep efekte pozitive, ju e dini që për katër vjet organizimi të këtij panairi kemi arritur numër rekord të pjesëmarrësve”, tha ai.

Drejtori i KIESA, Zef Dedaj, tha se ky panair ka për qëllim që bizneset të krijojnë kontakte të reja që ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e turizmit. Ai tha se këtë panair po marrin pjesë së paku 16 shtete të ndryshme ndërkombëtare.

“Është kënaqësi të mbështesim një aktivitet kardinal për faktin, sepse kemi sot këtu së paku 16 shtete të ndryshme ndërkombëtare, evropiane, rajonale e po ashtu edhe nga Kanadaja… Mbështetja e sotme ka për qëllim kryesor që bizneset nga sektori i turizmit në Kosovë të shfrytëzojnë mundësinë të krijohet kjo ndejë në një formë të takimeve, e cila ka për qëllim krijimin e kontakteve të reja dhe krijimin e kontratave të reja që ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e turizmit”, tha ai.

Drejtoresha e Turizmit në Komunën e Vlorës, Arlinda Tepelena, tha se Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Kosovë është një mundësi e mirë për bizneset, derisa ftoi të pranishmit që ta vizitojnë qytetin bregdetar të Vlorës.

“Këtu ne gjetëm një ngrohtësi dhe bashkëpunim gjetëm një interes të shtuar për stendën e Bashkisë Vlorë… Në fund do të doja të bëja një ftesë për të gjithë ejani në Vlorë, është qyteti i bukur dhe më i mrekullueshëm në botë. Është ndoshta rast për një kala ku në një qytet përqafohen dy dete. Keni malin, keni detin, keni historinë dhe arkitekturën e mrekullueshme sigurisht keni historinë e flamurit e cila fillon dhe mbaron në Vlorë prandaj do t’ju ftoja të gjithëve ejani në Vlorë”, tha ajo.

“Kosova 2025” është një ngjarje që synon promovimin e vendit tonë si një destinacion me potencial të lartë turistik. Panairi ka mbledhur përfaqësues nga sektori i turizmit vendor dhe ndërkombëtar. Derisa qëllimi kryesor i këtij edicioni është forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e turizmit, si dhe nxitja e investimeve në këtë sektor në rritje.

Panairi dyditor, i cili është hapur sot, po organizohet nga Unioni i Turizmit i Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe nën përkujdesjen e Komunës së Prishtinës.

Back to top button