Ministrat e rajonit dhe Evropës bashkohen në mëngjes pune

(Lajm i përditësuar)
Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, organizoi një mëngjes pune së bashku me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla- Schwartz, atë të Maqedonisë, Bujar Osmani, të Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakovic, të Kroacisë, Gordan Grliç Rаdman, zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino, si dhe përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor të Sllovenisë, Azhej Frangesh, i Norvegjisë, Arne Sanes Bjornshtad, i Britanisë së Madhe, Lordi Stjuart Piç dhe i Austrisë, Johannes Ajgner.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani ka shkruar në “Facebook”, se në fokus të takimit ka qenë integrimi evropian i vendeve të rajonit si përcaktim strategjik dhe synim i politikës së jashtme.
“Krahas një kornize të qartë kohore për zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit, koncepti i integrimit të përshpejtuar të rajonit para anëtarësimit do të sjellë parashikueshmëri, stabilitet më të madh dhe do të forcojë kredibilitetin e politikës së zgjerimit”, ka shkruar ai.
Paneli për Ballkanin Perëndimor në Bled bën bashkë Gërvallën e Daçiqin
Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla do të marrë pjesë sot në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.
Në panelin “Ballkani Perëndimor: Gjithçka po ndryshon, por gjithçka mbetet e njëjtë?”, ku do të diskutohen perspektivat e rajonit në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të jetë i pranishëm edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.
Përpos Gërvallës e Daçiqit pjesë e kësaj tryeze që mbahet pasdite është edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pjesëmarrës në të do të jenë edhe kryediplomatja sllovene, Tanja Fajon, anëtari i Këshillit të Shtetit të Francës, Alexandre Adam, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe ai I Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq.
