Papunësia e grave në Kosovë më e larta në rajon

Rreth 82 përqind e grave në Kosovë të papuna

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu tha se shkalla e papunësisë së grave në Kosovë është më e larta në rajon, ku 82 përqind e grave të afta për punë nuk janë të punësuara. Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së panairit tregtar dy ditor në Prishtinë për gratë pronare të bizneseve nga jugu dhe veriu i lumit Ibër.

Braathu me këtë rast kërkoi që gratë të jenë pjesë e ekonomisë duke shtuar se fuqizimi i grave ndërmarrëse është fuqizim i ekonomisë së vendit. Më tutje, ai shtoi se dialogu, pajtimi dhe komunikimi është gurthemeli i një shoqërie të shëndoshë në Kosovë.

Ambasadori austriak në Kosovë, Gernot Pfandler tha se kanë prioritet nxitjen e ekonomisë me theks të nënvizuar siç tha ai,  mbështetjen e grave në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Ambasadori Pflander vlerësoi lart mbështetjen e OSBE për Kosovën e në këtë rast  mbështetjen për gratë ndërmarrëse, ndërsa u shpreh se edhe vet Austria ka realizuar aktivitete të shumta për të përkrahur ato. Madje, ai theksoi se zhvillimi ekonomik i një vendi varet shumë edhe nga gratë, përderisa u shpreh se nuk ka punë që gratë nuk mund ta bëjnë po aq mirë sa cilido.

Ndërkaq, ishin rreth 30 gra ndërmarrëse nga komuniteti shqiptar dhe ai serb i Kosovës që paraqitën produktet e tyre në këtë panair.

Bletarja Valbona Ismaili – Salihu nga Skenderaj, kishte ardhur në panair për të promovuar dhe shitur mjaltin që e japin bletët e tyre, për shtatë vjet me radhë. Ajo u shpreh se pjesëmarrja në panaire është e mirë për të promovuar produktet e veta, por siç tha ajo, kur kërkesa për prodhimet e ofruara është e madhe, fokusi zhvendoset më shumë në punë se sa në promovim.

Ndërsa kishte edhe nga ato gra ndërmarrëse që promovimin e punës së tyre nuk mund ta bëjnë pa panairet, e posaçërisht në rastet kur ato nuk kanë hapësirë tjetër ku mund të shesin produktet e tyre. Fahrije Kelmendi nga fshati Lipë, një nga ndërmarrëset që punon në kushte të shtëpisë së saj ndërsa produktet i shet vetëm me porosi. Sipas saj,  pjesëmarrja në panairet jashtë qytetit të Mitrovicës nuk është dhe aq e lehtë pasi që siç tha ajo, në këtë rast mbetet problematike çështja e transportit.  Ndërkaq, tha se e mira e këtij panairi është se organizatorët u kanë mbuluar shpenzimet e rrugës. Fahrija në panairin e sotëm kishte sjellë produkte vendore nga më të ndryshmet  e të përgatitura nga vet ajo.

Pjesë e këtij panairi janë edhe organizata ndërkombëtare dhe  kompani të punësimit nga sektori privat. Ky panair do të qëndrojë i hapur për dy ditë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Back to top button