Para hyrjes në fuqi të Programit Kompakt, Kurti takon Zëvendëspresidentin e MCC-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Zëvendëspresidentin në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Cameron Alford, për të shënuar fillimin e një momenti të rëndësishëm për vendin tonë në zhvillimin e ekonomisë përmes transformimit të sektorit të energjisë, fillimin e programit Kompakt me MCC.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga Kryeministria ku thuhet se bashkë me të ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“I shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Drejtori i Programit të MCC, Rinor Gjonbalaj, z.Alford uroi Kryeministrin për këtë fillim të ri e të rëndësishëm për Kosovën, përmes funksionalizimit të programit të përbashkët të Kosovës në mbështetje dhe bashkëpunim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri njoftoi z.Alford me suksesin në ankandit e energjisë solare dhe me strategjinë ambicioze të Qeverisë për energji, që shërben edhe si platformë e punës së Kompaktit. Më tej, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi z.Alford me vizionin e Qeverisë në kuptim të zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së punësimit përmes investimit në aftësimin profesional, investimin në energji dhe në përgatitjen e kuadrove të reja në fushat STEM përmes bursave të studimit”, thuhet në njoftim për media.

Tutje bëhet e ditur se programi kompakt parasheh edhe komponenta të rëndësishme për zhvillim të kapaciteteve njerëzore e rritje të barazisë gjinore në sektorin e energjisë në vend.

“Programi Kompakt i cili komponentë kryesore ka ndërtimin e kapaciteteve akumuluese të energjisë, parasheh edhe komponenta të rëndësishme për zhvillim të kapaciteteve njerëzore e rritje të barazisë gjinore në sektorin e energjisë në vend. Programi Kompakt ka vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, nga të cilat 202 janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse 34.7 milionë janë bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Së bashku me MCC dhe MCA, ashtu si me shumë projekte e programe tjera të USAID, e në partneritet me SHBA-të, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet të zbatojë programet në përpikëri dhe në dobi të qytetarëve të saj. Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për hyrjes në fuqi të MCC Compakt mbahet sot në orën 17:00”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button