Paraburgim edhe për të dyshuarin e pestë për dhunimin e 11-vjeçares

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit SH.K për shkak të dyshimit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që i njëjti do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo edhe të falsifikojë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Sh.K bashkë me katër persona të tjerë dyshohen për dhunimin e të miturës më 27 gusht. Edhe ndaj 4 personave tjerë iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh veç e veç./21Media

Back to top button