Paraburgim ndaj dy të dyshuarve për shpëlarje të parave, fajde e vepra tjera penale

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji secilit veç e veç të dyshuarve B.M., dhe Q.M., nën dyshimin për fajde, shpëlarje të parave e vepra tjera penale.

Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se B.M., dyshohet se ka kryer veprat penale “Fajde”, “Shpëlarja e parave”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Kanosje”, ndërsa i pandehuri Q.M., dyshohet për “Shpëlarje të parave”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit B.M. dhe Q.M., pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale të lartcekura.

Gjykata vlerësoi se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

“Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.M. dhe Q.M. nëse gjenden në liri, mund të arratisen dhe mund të jenë të pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale, gjithashtu nëse të pandehurit lihen në liri paraqesin rrezik real se të njëjtit mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale, ose të pengojnë rrjedhën normale të hetimeve, e veçmas mund të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Back to top button