Paraburgim ndaj personit që sulmoi një grua në Qendër Tregtare
Gjykata Themelore në Prishtinë ka informuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji kundër të pandehurit F.B., i cili dyshohet se të dielën e ka sulmuar një grua në Qendrën Tregtare, ”Interex”.
Siç është bërë e ditur në komunikatë, gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit me propozim për ekzaminim psikiatrik kundër të pandehurit F.B. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej prej një muaj dhe ka urdhëruar që ndaj të njëjtit të bëhet ekzaminimi psikiatrik.
”Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24.10.2021, brenda Qendrës Tregtare “Interex”, në Prishtinë i pandehuri F.B. pas një mosmarrëveshje të atëçastshme verbale me të dëmtuarën S.B.H, në lidhje me shportat për furnizimin me ushqim ku gjatë blerjes së gjërave ushqimore të njëjtit nuk kishin pasur hapësirë të mjaftueshme për kalim ashtu që si pasoj e kësaj i pandehuri e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me grushte në kokë me ç’rast e dëmtuara ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK”, ka informuar gjykata.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./21Media