Paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunim të 15 vjeçares

Paraburgim për personin që dhunoi dhe la shtatzënë një 15 vjeçare

I pandehuri me inicialet A.Rr. dyshohet se në dhjetor të vitit 2017, në Ferizaj, ka ndalur veturën e tij në rrugën “Reçaku” duke i thënë të mitures me inicialet F. E moshës 15-vjeçare, se nëna e saj i kishte thënë që ta merrte atë dhe ta dërgonte te dajtë e saj. E dëmtuara kishte pranuar edhe pse nuk e kishte njohur të pandehurin, ai e kishte dërguar në fshatin Pleshinë, në një hapësirë të pyllëzuar ku edhe kishte kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e të dëmtuarës së mitur. Nga kjo marrëdhënie e mitura kishte ngelur shtatzëne dhe më pas kishte lindur më 22.08.2018, ku nga raporti i ekspertimit është konstatuar se gjasat që i pandehuri të jetë baba biologjik i foshnjës ishin 99.99%.

Tani është caktuar masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit A.Rr për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi seksual i personit nën moshën gjashtëmbëdhjetë.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.Rr. nga Komuna Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi seksual i personit nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet nga neni 235 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës” thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media

Back to top button