Paraburgim ndaj tre personave për plantacionin me kanabis në Gjilan

Tre personave të dyshuar për kultivimin e bimës së hashashit, në fshatin Zhegoc të Gjilanit i është caktuar paraburgimi.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Gjilanit.
“Referuar kërkesës tuaj të parashtruar me datë 23 gusht 2025, lidhur me aksionin e antidrogës në fshatin Zhegoc të Gjilanit, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për krime të rënda, me Urdhër të Prokurorit kujdestar ka ndaluar tre (3) persona me inicialet A.S, R.A dhe R.Z nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘’ Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’’ nga neni 272 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për portalin rtv21.tv.
Ndërkaq nga Policia e Kosovës të shtunën kanë bërë të ditur se kanë arritur të lokalizojnë plantacionin me rreth 500 bimë të kanabisit sativa në një fshat të rajonit të Gjilanit. /21Media