Paraburgim për personat që tentuan të grabisin një pompë të derivateve
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë, ndaj të pandehurve A.S., dhe F.H., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “grabitje e mbetur në tentativë”.
“Më datë 20 shtator, në orët e mesnatës, në Prizren, saktësisht në një pompë të derivateve, të pandehurit në bashkëkryerje përmes armës, përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze, fillimisht duke drejtuar automjetin të cilin ka qenë duke e drejtuar i pandehuri F.H., me të arritur në oborrin e pompës së derivateve në fjalë në afërsi të kabinës ndal automjetin nga i cili del i pandehuri A.S., duke u nisur në drejtim të të dëmtuarit e duke mbajtur në dorë një pistoletë – shkrepës të cilën ia drejton të dëmtuarit dhe duke iu drejtuar me fjalët ‘Ku janë paratë’ dhe ‘Bjeri paratë’ dhe se në atë moment i dëmtuari i kundërvihet të pandehurit A.S., së pari duke e shtyrë e më pas duke e goditur dorën e tij me të cilën ishte duke e mbajtur armën ku një pjesë kësaj arme lodër bie në dysheme, derisa i pandehuri A.S., me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të automjetit ku ishte duke e pritur i pandehuri F.H., dhe të cilët më pas largohen në drejtim të panjohur. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura është në fazën fillestare dhe nëse të pandehurit lihen në liri mund të fshihen apo të largohen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, si dhe ekziston rreziku se po që se të njëjtit do të liheshin në liri, ata mund të përsërisin veprën penale, ose të përfundojnë veprën e tentuar./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?