Kaloni te përmbajtja kryesore

Paraburgim për të pandehurit që e varrosën personin e gabuar, paguan 300 euro për zhvarrosjen e tij

Masa e paraburgimit prej 30 ditësh është caktuar sot ndaj dy personave në Prizren, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave”.
Gjykata Themelore në Prizren ka informuar se masa e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.03.2022, ndaj të pandehurve M.N., dhe E.R.
“Me datë 09 shkurt, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij. Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K. Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K. Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D. Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartcekuar, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K.  E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë.”, ka informuar Gjykata.
Kurse, se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button