Paralajmërohet caktimi i marzhës së fitimit në produkte bazike
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka paralajmëruar se do të caktojnë marzhën e fitimit në produkte bazike, ashtu siç ka ndodhur ditë më parë me derivatet e naftës.
Ministrja Rozeta Hajdari, ka thënë se po analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve, teksa ka njoftuar se e kanë krijuar një grup të dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale.
“Kemi formuar grupin e dytë punues për produktet esenciale. Këto produkte do të përfshihen në masë ligjore: gruri, mielli, buka, orizi, pasta nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa, veza, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjienike. Do të analizojmë se cilën masë do ta marrim, a do të shkojmë me çmime tavan apo marzhë tregtare. Të gjitha këto do të ndodhin shumë shpejt. Por se cilën masë do ta marrim, varet nga analiza e situatës. Do të marrim një masë që do të ndalojë spekulimet sepse jemi të informuar çdo ditë nga Dogana për çmimet furnizuese nga importi”, ka thënë Hajdari sot në një konferencë për media.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, ka deklaruar se në Kosovë ka furnizim të mjaftueshëm me grurë ndaj dhe nuk ka arsye për shqetësim e as rritje të çmimeve.
Zejnullahu ka theksuar se si shoqatë janë kundër që situata aktuale të shfrytëzohet për të abuzuar me çmime./21Media