Paralajmërohet: Çmimi i rrymës 92% më i shtrenjtë nëse jetësohet ‘Kosova e Re’

“Çmimi mesatar prej 6 cent/kWh ndryshon kur vihet në lojë Termocentrali Kosova e Re”

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi ndikimin në çmimin e faturave të energjisë elektrike nëse jetësohet Termocentrali ‘Kosova e Re’ i cili do të vështirësojë tejmase përballueshmërinë e energjisë elektrike nga qytetarët.

Aktualisht, siç theksohet në komunikatë për konsumatorët familjarë (amvisëri), tarifa e lartë (ditën) është 6.75 cent/kWh, ndërsa tarifa e ulët (natën) është 2.89 cent/kWh. Mesatarja e këtyre dy tarifave siç theksohet del të jetë 4.82 cent/kWh. “Nuk duhet anashkaluar faktin që shumica e energjisë elektrike në Kosovë shpenzohet gjatë ditës, pra me tarifë të lartë. Andaj, një mesatare e arsyeshme dhe e krahasueshme që përfshin dhe i jep rëndësi shpenzimit gjatë ditës do të duhej të ishte diku në vlerën e 6 cent/kWh.[1]”, bëhet e ditur në komunikatë.

Sipas Eurostat, konsumi mesatar i një familjeje kosovare bie diku në mes 2500-5000 kWh në vit apo 312.5 kWh në muaj. Për ta përkthyer këtë në faturë mujore duhet të shumëzohet vlera e mesatarës mujore të konsumit me vlerën mesatare të çmimit. Pas kësaj llogaritje, siç theksohet në komunikatë, i bie që një familje kosovare paguan mesatarisht 18.75 euro në muaj për energji elektrike.

Çmimi mesatar prej 6 cent/kWh ndryshon kur vihet në lojë Termocentrali Kosova e Re. Kjo për shkak se TC Kosova e Re veçse do të prodhojë energji elektrike me çmim më të lartë (8 cent/kWh) sesa totali i çmimit aktual (6 cent/kWh) për energji elektrike. Kur llogaritet çmimi i prodhimit nga TC Kosova e Re (8 cent/kWh), përçimi i energjisë elektrike nëpërmjet KOSTT (0.3 cent/kWh), blerja nga KEDS dhe shitja nga KESCO (3.2 cent/kWh) del që çmimi final për konsumatorë familjarë të jetë diku 11.5 cent/kWh“, theksohet më tutje në komunikatë.

Sipas BGF, Instituti-t GAP, GLPS-së dhe INDEP-it, nëse një familje kosovare deri më sot ka paguar 18.75 euro në muaj për energji elektrike, i bie që po e njëjta familje do të duhet të paguajë 35.94 euro në muaj apo 92% më shtrenjtë faturën e energjisë elektrike për të njejtën sasi të energjisë elektrike të konsumuar (kjo nëse ndërtohet TC Kosova e Re).

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të Kosovës nga kontrata për ndërtimin e këtij termocentrali. “Ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje vendimtare të mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut. Duke ndërprerë këtë projekt të dëmshëm, Kosova ka mundësinë të ndërtojë të ardhme evropiane përmes tranzicionit të energjisë drejt burimeve të ripërtërishme, efiçiencës së energjisë dhe një tregu të integruar e liberal në funksion të përballueshmërisë së çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit“, theksohet më tutje në komunikatë./21Media

Back to top button