Parashikimi i OECD: Rritje modeste e ekonomisë botërore më 2022 e 2023

Ekonomia botërore, e penguar nga normat e larta të interesit, inflacioni dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës, do të arrijë rritje modeste këtë vit dhe rritje edhe më të dobët në vitin 2023, njoftoi Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Sipas parashikimit të ri të OECD-së të publikuar sot, ekonomia botërore do të rritet me vetëm 3.1 për qind këtë vit, që është një rënie e madhe nga 5.9 për qind në 2021.

Vitin e ardhshëm, parashikon OECD, rritja e ekonomisë botërore do të jetë edhe më e dobët dhe do të arrijë në 2.2 për qind.

OECD, e cila ka 38 vende anëtare, parashikon se SHBA, ekonomia më e madhe në botë, do të shënojë një rritje prej vetëm 1.8 për qind këtë vit, që është një rënie e madhe nga 5.9 për qind e vitit të kaluar. Ekonomia amerikane do të rritet me vetëm 0.5 për qind në vitin 2023 dhe një për qind në vitin 2024, sipas OECD.

Parashikimi për Eurozonën, e prekur nga kriza energjetike për shkak të luftës ruse në Ukrainë, nuk është më i ndritshëm, pasi OECD parashikon se do të arrijë një rritje prej 0.5 për qind në 2023 dhe 1.4 për qind në 2024.

Kur bëhet fjalë për inflacionin, OECD parashikon se ai do të vazhdojë të ndikojë ndjeshëm në ekonominë evropiane. Inflacioni pritet të jetë 8.3 për qind këtë vit, që është një rritje e madhe nga 2.6 për qind e vitit të kaluar. Në vitin e ardhshëm, sipas OECD-së, inflacioni do të arrijë në 6.8 për qind.

Ekonomia kineze, e cila jo shumë kohë më parë kishte rritje vjetore dyshifrore, do të zgjerohet me vetëm 3.3 për qind këtë vit dhe me 4.6 për qind në vitin 2023.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button