Parku i Biznesit në Drenas do të rritet edhe për 30 hektar

Së shpejti fillon ndërtimi i zonës ekonomike në Malishevë dhe inkubatorit të bizneseve në Skënderaj

Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi, ka thënë se Parku i Biznesit në Drenas do të rritet edhe për 30 hektar, duke krijuar kushte sa më të mira për bizneset vendore dhe të huaja.

Krasniqi ka deklaruar se duke pasur parasysh kërkesën e shtuar nga bizneset vendore dhe të huaja, MTI ka iniciuar zgjerimin e parkut të biznesit.

Krasniqi, në Seminarin e Biznesit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Zonës Industriale të Re në Drenas, ka bërë të ditur se gjatë këtij mandati MTI ka vendosur krijimin e kushteve për t’iu ofruar bizneseve infrastrukturë moderne që iu mundësojnë bizneseve operim më të lehtë dhe hapje të vendeve të reja të punës.

“MTI-ja bashkë me MMPH dhe Ministrinë e Financave ka incizuar dhe kompletuar për shpronësimin e zonës ekomomike në Drenas, kjo zonë përfshinë sipërfaqen prej 61 hektarë dhe më vonë është zvogëluar ku do ndërtohet Stadiumi Kombëtar, dhe tani kjo zonë pritet të ketë rreth 30 hektar. Projekti parasheh investime kapitale dhe ndërtimin e qendrës për trajnime profesionale”, ka thënë Krasniqi.

Zëvendësministrja ka thënë se me kompletimin e zonave ekonomike, Kosova po krijon kushte për investitorët e huaj dhe vendor, që njëkohësisht ua ulë koston për shkak të qeras së vogël që kanë këto zona.

“Po ashtu së shpejti fillon ndërtimi i zonës ekonomike në Malishevë, që është e dedikuar veçanërisht për bizneset e diasporës, gjë që për herë të parë po iu ofrohen kushte konkrete, që s’ka ndodhë më herët”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo ka bërë të ditur se edhe në Skenderaj do të fillojë së shpejti ndërtimi i inkubatorit të bizneseve dhe do të ketë edhe investime të tjera./21Media

Back to top button