Parlamenti rus fillon procesin e vulosjes së aneksimeve
Legjislatura e Rusisë filloi të hënën procesin e miratimit të vendimit të presidentit Vladimir Putin, për aneksimin e katër pjesëve të Ukrainës, pavarësisht faktit se Kremlini nuk është në kontroll të plotë të atyre rajoneve dhe nuk ka vendosur kufijtë e saktë të territoreve që po përpiqet të marrë.
Miratimi legjislativ i aneksimit, i cili është i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar, pritet të jetë një formalitet, megjithëse do të zgjasë disa ditë. Putini dhe aleatët e tij kontrollojnë efektivisht të dy degët e legjislaturës ruse dhe hapësira për mospajtim politik në Rusi është zvogëluar vitet e fundit.
Por manovrat brenda sallave të zbukuruara të Kremlinit janë në kontrast të plotë me faktet në terren në fushat e betejës në Ukrainën lindore.
Forcat ruse kanë pësuar një sërë humbjesh befasuese në Ukrainën lindore, duke i detyruar ato të tërhiqen dhe të braktisin disa pozicione në zonat që Kremlini deklaron se po anekson. Pjesa më e madhe e territorit që Moska pretendon si të sajën në rajonin e Donetskut, është nën kontrollin e forcave ukrainase dhe Kremlini duket i pasigurt për kufijtë e saktë të rajoneve që planifikon të aneksojë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska duhet të “vazhdojë konsultimin” me popullsinë lokale përpara se të vendosë kufijtë e saj./21Media