Sondazhet e CeSID/IPSOS tregojnë për fitoren e Vuçiqit

(Lajm i përditësuar)
Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.4 për qind të votave që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të CeSID/IPSOS nga 80.02 për qind e votave të numëruara.
Në vendin e dytë renditet koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23.3 për qind ose 64 ulëse. Në vendin e tretë Partia Socialiste e Serbisë, me 6.7 për qind ose 18 ulëse, pasuar nga koalicioni “Nada” (Shpresa) me 4.8 për qind ose 13 ulëse.
Gjithsej 18 parti dhe lista kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve me të drejtë vote për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse. Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind.
Serbia ka mbajtur sot zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë. Deri në orën 19:00 kanë votuar 55.5 për qind e qytetarëve.
Partia e Vuçiqit shpall fitoren
Kryeministrja serbe Ana Bernabiq në një fjalim që ka mbajtur ka thënë se presidenti Aleksandar Vuçiq i ka ftuar të gjithë për festë.
Ajo ka thënë se në bazë të numërimit të më shumë se 50 për qind të vendvotimeve ata kanë fituar 47 për qind të votave. Ndërsa një exitpoll që e ka publikuar gazeta CeSID/IPSOS, partia e Vuçiqit ka arritur fitore me 46.6 për qind të votave, ose 129 mandate.
Në vend të dytë është “Serbia kundër dhunës” me 23 për qind ose 63 mandate. Vendin e tretë sipas saj e ka partia e Daçiqit me 6.9 për qind ose 19 mandate.
Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë.