Partitë në “relaks”, shteti në “krizë”

Më 7 qershor qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit pas dështimit të legjislaturës së kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve politike, të cilat kulmuan me pamundësinë për zgjedhjen e presidentit të vendit. Megjithatë, gati një muaj pas zgjedhjeve partitë politike e në veçanti partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk kanë paraqitur një plan të qartë se si synojnë ta sigurojnë shumicën parlamentare dhe t’i formojnë institucionet e reja.
Hulumtuesi në Institutin për Studime Politike dhe Juridike, Besar Gërgi, vlerëson se përfaqësuesit politikë po tregojnë një qasje tepër të relaksuar, sikur formimi i institucioneve të mos ishte një çështje urgjente për vendin.
“Nuk ka shqetësim, por një relaksim të tepruar, nëse i shohim deklaratat e akterëve politikë. Po pritet certifikimi i rezultateve, por ne e dimë se deri në certifikimin e tyre nuk ndryshon numri i ulëseve në Kuvend. Prandaj, nuk ka arsye që të pritet kaq gjatë vetëm për shkak të afateve formale. Sa më shpejt të nisin bisedimet, aq më mirë do të jetë për vendin. Po shihet qartë se nuk ekziston ndonjë ndjenjë urgjence për formimin e institucioneve.”, tha Gërgi.
Analisti politik, Lutfi Bilalli, thotë se rrugëdalja nga ngërçi politik mbetet arritja e një marrëveshjeje koalicioni ndërmjet partive parlamentare. Sipas tij, çdo ditë pa institucione funksionale përkthehet në humbje për qytetarët dhe për shtetin. Ai i konsideron si justifikim deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se duhet pritur certifikimi i rezultateve për të nisur takimet me partitë e tjera.
“Do të ishte mirë të arrihej një pajtueshmëri për formimin e një koalicioni. Kjo varet nga vullneti i partive politike, sidomos nga partia fituese. Nuk ka kohë për të humbur, sepse çdo ditë pa institucione është humbje për vendin. Mendoj se pritja e certifikimit të rezultateve është pjesë e strategjisë së Kurtit.”, u shpreh Bilalli për rtv21.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, presidenti është i obliguar ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda 30 ditëve. Pas konstituimit të Kuvendit, presidenti mandaton kandidatin për kryeministër nga partia ose koalicioni që ka siguruar shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë.
Instituti për Studime Politike dhe Juridike ka rikujtuar se viti 2025 u karakterizua nga kriza të vazhdueshme politike, të cilat penguan funksionimin normal të institucioneve dhe shtynë realizimin e reformave. Hulumtuesi Besar Gërgi nga ky institut u bën thirrje partive që të nxjerrin mësime nga përvojat e kaluara dhe të tregojnë gatishmëri për kompromis në interes të stabilitetit institucional.
“Në Kosovë përgjegjësia është te politikanët. Topi është në fushën e katër partive parlamentare, të cilat duhet të arrijnë një marrëveshje. Fatkeqësisht, kemi të bëjmë me një kulturë politike që lë shumë pak hapësirë për kompromis.”, tha Gërgi
Ndërkohë, partitë e ish-opozitës, PDK, LDK dhe AAK, kanë deklaruar për RTV21 se nuk kanë pranuar ende ftesë për takim nga kryeministri në detyrë. Ato kanë bërë të ditur se preferojnë një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse, e cila do të adresonte jo vetëm konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, por edhe zgjedhjen e Presidentit, me qëllim shmangien e një krize të re institucionale.
LDK-ja ka mohuar zërat se kanë filluar takime të fshehta me LVV-në për formimin e institucioneve.
“Takime nuk ka pasur deri tani, kur po flasim, sepse nuk ka pasur ndonjë ftesë.”, tha Lutfi Haziri nga LDK-ja
Analisti politik Lutfi Bilalli vlerëson se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, preferon të bashkëpunojë me LVV-në.
“Lumir Abdixhiku është për një bashkëqeverisje me LVV-në. Nuk dihet nëse këtë e ka për karrierën e tij apo jo.”, u shpreh Bilalli.
Përveç faktit që Kosova nuk ka Kuvend funksional dhe ka një Qeveri në detyrë, ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i përfundon mandati në fillim të muajit tetor, ndërsa Kosova, për herë të parë, rrezikon të mbetet edhe pa president./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?