Partitë pa propozime për anëtarët e rinj të KQZ-së!

Edhe një muaj kanë mandat një pjesë e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por partitë politike nuk i kanë qartësuar ende emrat e tyre që duhet t’i zëvendësojnë ose t’iu vazhdojnë mandatin. Një parti politike, AAK ka ripropozuar anëtarin e saj në KQZ, Muharrem Nitaj, në afatin ligjor. Presidentja, Vjosa Osmani më 9 mars u ka kërkuar subjekteve politike propozimet për anëtarët e rinj. Vonesat për propozimin e anëtarëve të ri të KQZ-së, po shihen si veprime jo të duhura nga hulumtuesi i KDI-së Eugen Cakolli.

“Duke pasur parasysh paqartësitë politike, ka qenë e udhës që presidentja të procedohnte më herët me kërkesën për emra të rinj por edhe subjektet politike nuk është dashur ta konsumojnë në tërësi afatin. Kësisoj do të sigurohej dhe evitohej çfarë do mundësie që të kemi ndonjë bllokadë për organizimin e zgjedhjeve edhe pse në këtë situatë e gjithë kjo procedorurë duhet të përmbyllet deri më 23 mars, por që normalisht është dashur të përmbyllet më herët në rast se institucionet nuk do të konsumonin afatet…”

Sipas ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, anëtari i KQZ-së që ka konsumuar tri mandate nuk mund të emërohet përsëri. Sipas ligjit pjesë e KQZ-së nga LVV nuk do të jetë Sami Kurteshi, nga PDK nuk do të mund të emërohet më Arianit Elshani dhe nga LDK thuhet se ka përfunduar mandatin e tretë edhe Sami Hamiti.

Nga PDK i thanë RTV21 se emërimi i anëtarëve të rinj është ende në fazën e diskutimeve, ndërsa nuk u bë e ditur nëse Ilir Gashi do të vazhdojë edhe për një mandat tjetër. LVV dhe LDK ishin të pa qasshëm. Vonesat për propozimin e emrave të anëtarëve të rinj të KQZ-së, Melos Kolshi nga IKD i cilëson si neglizhencë nga subjektet politike, ndonëse pozitat në KQZ siç thotë janë tejet të rëndësishme marrë parasysh edhe shkuarjen e shpeshtë në zgjedhje.

“Ne kemi dëgjuar edhe arsye siç ishte se për emrat e rinj do të vendoset pas zgjidhjes së çështjes për presidentin pra thjesht nuk ka qenë prioritet i tyre por emrimi i anëtarëve të KQZ-së nuk duhet të neglizhohet…”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të mbetet pa anëtarët e tij, nëse partitë politike nuk e respektojnë afatin ligjor ose nëse për çfarëdo arsye presideëntja mund ta refuzojë ndonjë propozim. Përfundimi i mandatit të një pjese të anëtarëve të KQZ vjen në të njëjtën kohë kur mendohet se zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të mbahen brenda këitj viti. Mos plotësimi i vendeve në KQZ do të vështirësonte punën e këtij institucioni./RTV21/21Media

Back to top button