Partitë politike gjobiten me rreth 42 mijë euro

Kryeziu bëri thirrje të largohen materialet e fushatës zgjedhore nga hapësirat publike

Drejtori i Organizatës jo qeveritare, Demokracia në Veprim, Ismet Kryeziu ka deklaruar se partitë politike janë gjobitur me 41,900 euro, për 24 ankesa të paraqitura nga DnV-ja.

Ai përmes një postimi u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe kandidatëve që të mos i shfrytëzojnë hapësirat publike për fushatë.

”Demokracia në Veprim ju bënë thirrje subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre që të largojnë materialet e fushatës zgjedhore, posterët, njoftimet nga hapësirat publike që përfshijnë shtyllat elektrike, shenjat e komunikacionit, transformatorët e energjisë elektrike, drunjtë dhe objektet tjera publike, kulturore, fetare dhe të tjera siç përcaktohen në nenin 33 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, numri i ankesave të shqyrtuara të cilat janë paraqitur nga DnV-ja arrin në 24, ndërsa në proces të trajtimit në PZAP janë edhe 30 ankesa të tjera të dorëzuara vetëm nga Demokracia në Veprim./21Media

Back to top button