Partitë politike të gatshme për zgjedhje

Një takim i gjatë i mbajtur mbrëmë midis kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi, n ëtë cilin ndër të tjera diskutuan edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme ngjalli reagime të partive politike.

Të gjitha partitë politike për RTV 21 konfirmuan se janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme, por sfiduese mbetet forma se si të shkohet deri tek mbajtja e tyre. Për PDK-në nuk ka rëndësi forma se si duhet të shkohet në zgjedhje, por sipas deputetit të këtij subjekti politik, Ferat Shala, e rëndësishme është që kjo qeveri të shkarkohet duke paraqitur edhe arsyet.

‘’Vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë për shkak të dështimit të kësaj qeverie në sferën diplomatike, në marrëdhënie me jashtë, ekonomike dhe në sferën e krijimit të një klime të mirë brenda ndër partiake. E rëndësishme është që vendi të shkojë në zgjedhje forma duhet të jetë demokratike”, tha Shala për rtv21

LDK-ja e cila kishte bojkotuar takimin me kryeministrit Kurti e tha qartazi se forma e vetme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme është dorëheqja e kryeministrit Kurti. Duke komentuar takimin Kurti-Krasniqi, deputetja e këtij subjekti politik, Valentina Bunjaku, tha se Vetëvendosje dhe PDK-ja po përgatiten për një koalicion zgjedhor.

“LDK-ja është e gatshme për zgjedhje. Pa LDK-në nuk ka shtet të mirëfilltë. Për mua PDK-ja dhe LDK-ja janë të barabartë. Është një mollë e ndamë përgjysmë kështu që po përgatiten për një koalicion të ardhshëm zgjedhor”, tha Bunjaku.

Po ashtu edhe AAK-ja preferon që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti dhe përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se kryeministri Kurti përmes takimeve të tilla po mundohet t’i ikë realitetit, sic e quajti, të keq që e ka futur Kosovën.

‘’Shpërbërja e parlamentit duhet të bëhet vetëm atëherë kur kryeministri të shkarkohet ose të dorëhiqet. Problemi i Kurit tështë që ta vendos Kosovën në një proces emergjent që të ikë ballafaqimit me të vërtetën, tha Tahiri.

Ndonëse e ka një shumicë të konsiderueshme parlamentare Vetëvendosje është treguar e gatshme për zgjedhje të parakohshme. Por, nga ky subjekt politik kundërshtojnë idenë për dorëheqjen e kryeministrit Kurti.

‘’Nuk munden me kërkua dorëheqjen e Qeverisë sidomos një qeverie e cila ka qenë më e mira që ka pas Kosova. Pse duhet të dorëhiqet Qeveria. Unë mendoj se ne si Kosovë duhet të kujdesemi që të kemi një qeveri të tillë edhe në të ardhmen. VV-ja është e gatshme për zgjedhje”, tha Muja

Drejtori ekzekutiv i Grupit për Politika Ballkanike, Naim Rashiti, bazuar në zhvillimet e fundit rreth zgjedhjeve të parakohshme nuk sheh alternativë tjetër përveç se ato të mbahen në vjeshtë.

‘’Nuk ka alternativë zgjedhje do të kemi në vjeshtën e hershme zgjedhje. Këto takime janë shumë të vonuara ku do të flitej për tema të mëdha. Këto takime janë shumë të vonuara. Këto takime do duhej të mbaheshin vazhdimisht”, tha Rashiti.
Kryeministri Kurti pas takimit me kryetarin e PDK-së Memli Krasniëqi tha se do të insistojë që të takohet edhe me partitë e tjera opozitare LDK-në dhe AAK-në për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme./RTV21/21Media

Back to top button