Partitë presin ndryshim të rezultatit zgjedhor në favor të tyre

Një muaj para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare partitë politike veçse kanë nisur kalkulimet e tyre rreth rezultatit që mund ta prodhojë ky proces i ri zgjedhor.

Lëvizja Vetëvendosje pret votë masive për të në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetor duke mbështetur shpresat edhe më shumë tek vota e diasporës.

Deputeti, Artan Abrashi, thotë se LVV në këto zgjedhje garon vetëm me partnerët, Listën Guxo dhe Alternativën,  por që është e hapur edhe për bashkëpunime të tjera.

“Marrë parasysh rrjedhën e ngjarjeve që ka filluar me krizën nëntë mujore me moskonstituimin e Kuvendit qytetarët e kanë pas rastin të shohin kush është fajtori kush është shkaku kryesor i kësaj bllokade të  paarsyeshme pavarësisht përpjekjeve dhe lutjeve tona që t’i themelojmë institucioneve…Qytetarët kanë pasur mundësi me pa këtë dhe po besoj se kjo revoltë e tyre e arsyeshme do kthehet në votë masive për LVV-në dhe të nominuarin për kryeministër Albin Kurti. Presim rezultat fantastik marrë parasysh se parashikime tona se  diaspora do të jetë në numër të madh në Kosovë kësaj radhe dhe ardhja tyre ne Kosovë përkon me datën e zgjedhjeve dhe besoj se kjo do reflektojë fuqishëm në një rezultat të mirë për VV-në  Nuk është sekret qe diaspora ka parapëlqim për VV-në, ata jetojnë në vende të zhvilluara dinë me bë dallime e ne  po shpresojmë se krejt kjo përkrahje  do të përkthehet në votë masive”, tha Abrashi për RTV21.

PDK-ja ndërkaq pret reflektim të qytetarëve më 28 dhjetor, për shkak të, siç ka thënë anëtari i saj Fadil Demaku, paaftësisë së Kurtit për të krijuar institucionet e reja.

Sipas tij, Bedri Hamza, do të jetë kryeministër i ardhshëm teksa shtoi se janë të hapur për bashkëpunime parazgjedhore.

“Duke pasur parasysh zhvillimet që kane ndodhur gjatë këtyre nëntë muajve dhe paaftësinë që ka treguar deri në nivel ekstreme LVV-ja dhe Albin Kurti në përgjegjësinë e tyre për t’i krijuar institucionet  përballë qytetarëve dhe i gjithë dëmi ka shkruar tek qytetarët kuvendi jam. Shumë i bindur se do të ketë reflektim shumë të madh të popullit sepse përgjegjësi dhe fajtori ka emër është Albin Kurti , do ketë reflektim pozitiv te qytetarët për ndryshimin e  domosdoshëm në zgjedhjen e dhjetorit. Presim rezultat  shumë më të mirë për PDK jam i bindur që kandidati ynë është më i miri në skenën politike në vend. Z.Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm qe do ta udhëheq vendin”, tha Demaku për RTV21.

Ndërsa anëtari i AAK-së, Lahi Brahimaj, u shpreh i bindur se qeverinë e ardhshëm do ta formojë ish-opozita.

Brahimaj theksoi se AAK-ja do të jetë befasia e zgjedhjeve dhe e njëjta do të  garojë si e vetme.

“Unë vesoj se VV-ja rënie të mëdha shihet qartë edhe nervoza e Kurtit dhe aktivistëve të tjerë sepse dhe ata kanë matjet e tyre, VV-ja ka rënie dhe në asnjë rrethanë më s’do ta ketë këtë rezultat dhe partitë e opozitës do ta bëjnë një koalicion dhe do ta formojnë qeverinë e ardhshme të Kosovës. Unë garantoj se nuk do të ketë me kryeministër Kurti. Ne po bëjmë përgatitjet e fundit për të përpiluar një listë prej 110 emrave ku do të ketë shumë emra risi profesionistë prej të gjitha fushave dhe bindshëm Aleanca  do të dalë e suksesshme do të thotë do të jetë një befasi e këndshme në këto zgjedhje AAK-ja. Jo me asnjë parti, ishte një takim me strukturat e partisë ishte një qëndrim unanim i çdo kandidati qe të shkohet si e vetme si parti në zgjedhje pa ndonjë koalicion ndërsa individ emra të rinj veç dita ditës lista është në përfundim  me emra që do të publikohet së shpejti. Pra, nuk do të ketë koalicion por do ketë shumë emra të rinj pra ka risi”, tha Brahimaj për RTV21

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare mbahen më 28 dhjetor. Në disa parti politike  tanimë veçse kanë nisur aderimet e ndryshme./RTV21/21Media

Back to top button