Pas sulmeve ruse në Kiev, G7 mban takim urgjent

(Live Update)

Pas sulmeve ruse në Kiev, G7 mban takim urgjent

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se G7 do të mbajë një takim urgjent pas sulmeve në të gjithë Ukrainën dhe se ai do të mbajë një fjalim.

Në një postim në Twitter, ai tha se kishte folur me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili aktualisht mban presidencën e G7.

“Fjalimi im është planifikuar, në të cilin do të tregoj për sulmet terroriste nga [Rusia]. Ne diskutuam gjithashtu çështjen e rritjes së presionit mbi [Rusinë] dhe ndihmën në rivendosjen e infrastrukturës së dëmtuar”, ka shkruar Zelensky.

Të paktën 75 raketa u lëshuan në Kiev
Shefi ushtarak i Ukrainës thotë se 75 raketa janë lëshuar deri më tani në valën e sulmeve të mëngjesit të sotëm.
Gjenerali Valerii Zaluzhnyi shkruan në Twitter se 41 prej tyre u neutralizuan nga mbrojtja ajrore.
 
Tetë të vrarë pas sulmeve ruse në Kiev
Tetë civilë janë vrarë dhe 24 janë plagosur si rezultat i sulmeve me raketa në Kiev këtë mëngjes, tha një ndihmës i ministrit të brendshëm ukrainas.
Gjashtë makina u dogjën pas sulmit dhe mbi 15 automjete u dëmtuan, tha Rostyslav Smyrnov në një postim në Facebook.
Ai shtoi se 30 punonjës të shërbimit të urgjencës dhe gjashtë njësi reagimi janë në vendin e ngjarjes në rrethin Shevchenkivsky të Kievit.
 
Dalin pamjet e shpërthimeve në Kiev, Klitschko iu bën thirrje banorëve të mos dalin 

Disa shpërthime të fuqishme u dëgjuan mëngjesin e së hënës në Kiev të Ukrainës. Në rrjetin social Twitter, janë publikuar pamjet e shpërthimeve dhe të tymit në mes të qytetit.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se raketat goditën në rrethet Shevchenkivskyi dhe Solomyanskyi.
Ai iu bëri thirrje banorëve të kryeqytetit që të qëndrojnë në strehimore dhe të mos dalin pa pasur nevoja urgjente.
 
Zelensky: Rusët po përpiqen të na zhdukin nga faqja e dheut

Mes shpërthimeve të shumta në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës herët të hënën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia po përpiqet të asgjësojë Ukrainën.
“Kjo është dita e 229-të e luftës në shkallë të gjerë. Kjo është dita e 229-të që ata po përpiqen të na asgjësojnë dhe të na zhdukin nga faqja e dheut. Kjo është ajo, me pak fjalë. Ata po përpiqen të masakrojnë njerëzit tanë që janë duke fjetur në shtëpitë e tyre në Zaporizhzhia. Ata po përpiqen të vrasin njerëz që janë në rrugën e tyre për të punuar në Dnipro dhe Kiev. Në gjithë Ukrainën, sirenat e sulmit ajror nuk do të pakësohen. Raketat vazhdojnë të godasin. Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur. Unë ju kërkoj: mos i lini strehimoret tuaja. Qëndroni të sigurt dhe kujdesuni për familjet tuaja”, tha Zelensky në Telegram.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko konfirmoi se sulmet goditën lagjet Shevchenkivskyi dhe Solomianskyi të qytetit dhe këshilloi banorët të strehohen.
 
Shpërthime të shumta në Kiev, raportohet për viktima 

Një numër njerëzish u vranë dhe disa u plagosën në sulmet në Kiev këtë mëngjes, thonë shërbimet e urgjencës ukrainase.
Ende nuk dihet saktësisht se sa njerëz kanë vdekur apo janë plagosur.
 
Shpërthime të shumta në kryeqytetin e Ukrainës
Shpërthime të fuqishme raportohen në qendër të qytetit të Kievit në Ukrainë.

Sipas kryebashkiakut, Vitali Klitschko dy shpërthime u dëgjuan në qendër të kryeqytetit ukrainas të hënën në mëngjes, transmeton rtv21.tv.

“Të gjitha shërbimet janë në vendndodhje”, shkroi Klitschko në Telegram.

Zëvendës shefi i Këshillit të Sigurimit rus, Dmitry Medvedev, e kishte kërcënuar më parë Ukrainën me hakmarrje për shpërthimet në urën e Krimesë, e cila është strategjike për Rusinë.
Shpërthime gjatë së dielës janë kryer në Zaporizhzhia, ku dhjetëra civil ukrainas u raportuan të vrarë./21Media

Back to top button