Pas vdekjes së 30 vjeçarit, Prishtina nis prerjen e drunjve

Komuna e Prishtinës sot ka nisur prerjen dhe krasitjen e drunjve të dëmtuar, të cilët paraqesin rrezik potencial si rezultat i kushteve të rënda atmosferike.
Deri tani janë prerë dhe krasitur drunjtë në rrugën “Abedin Rexha” dhe në “Parkun e Qytetit”.
“Komuna e Prishtinës nëpërmjet Hortikulturës dhe Organit Mbikëqyrës është në proces të vazhdueshëm të identifikimit dhe eliminimit të drunjve të dëmtuar të cilët paraqesin rrezik potencial si rezultat i kushteve të rënda atmosferike, si dhe krasitjes së disa prej tyre për të evituar rrezikun nga kabllot e rrymës”, ka njoftuar Komuna në një postim në Facebook.
Në Prishtinë po planifikohet prerja e drunjve në “Tauk Bashqe”, në rrugën “Simon Shiroka” – Zona Qendër, në rrugën “Jonuz Zejnullahu” dhe në vende të tjera që mund të paraqesin rrezik për qytetarët.
Ky veprim i Komunës së Prishtinës është ndërmarrë pasi një 30-vjeçar të hënën vdiq si pasojë e rrëzimit të drurit në rrugën “Vaso Pasha”, në kryeqytet, ndërsa u lëndua rëndë një 35-vjeçare./21Media

Back to top button