“Pastrimi” njofton se borxhet do të kalojnë tek përmbaruesit privatë

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A. ka njoftuar të gjithë konsumatorët, amvisëri, biznese dhe institucione publike, se nga sot do të fillojë procedurat përmbarimore ndaj debitorëve që kanë detyrime të papaguara për shërbimet e mbledhjes dhe transportit të mbeturinave.

Përmes një komunikate, nga kompania bëhet e ditur se ky veprim vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme të kompanisë për të realizuar arkëtimin vullnetar të borxheve përmes njoftimeve, paralajmërimeve dhe marrëveshjeve të riprogramimit, të cilat në shumë raste nuk janë respektuar nga konsumatorët.

“Mospagesa e faturave ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë financiare të kompanisë dhe në cilësinë e shërbimeve publike që ajo ofron çdo ditë në kryeqytet dhe komunat e tjera të mbuluara nga ‘Pastrimi’”, thuhet në njoftim.

Kompania “Pastrimi” fton konsumatorët të bëjnë pagesat për të shmangur procedurat përmbarimore dhe kostove shtesë.

“Ftojmë të gjithë konsumatorët që ende nuk kanë shlyer obligimet e tyre financiare, ta bëjnë këtë në mënyrë të menjëhershme për të shmangur procedurat përmbarimore dhe kostot shtesë që ato mund të sjellin. Pagesat mund të realizohen në sportelet e kompanisë, në institucionet financiare, si dhe përmes platformave elektronike të pagesave”,thuhet ndër të tjera në njoftim. /21Media

Back to top button