“Pazarët” e LVV-së për presidentin nuk e bindin opozitën

Të martën e javës së ardhshme deputetët e Kuvendit e kanë afatin e fundit kushtetues për  zgjedhjen e presidentit të ri, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të reja. Vetëvendosje insiston se Glauk Konjufca është kandidati i duhur për president, por nuk bënjnë të ditur se kur do ta thërrasin seancën për këtë çështje. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, refuzon t’i quajë pazare politike ofertat e Kurtit për partitë opozitare, ku përfshihen posti i kryeparlamentarit dhe përfshirja në qeverisje.

“LVV-ja gjithmonë ka qenë serioze dhe transparente në propozimet dhe ofertat e veta. Për mua, ‘pazar’ nënkupton praktikat që i kemi parë dhe që i takojnë të kaluarës, kur është biseduar për terminale dhe favore personale. LVV-ja bën propozime për marrëveshje politike në mënyrë proporcionale me mbështetjen që na kanë dhënë qytetarët.”, tha Nagavci.

Nënkryetarja e Kuvendit nga PDK, Vlora Çitaku, tha se Kosova është pa president të ri jo për mungesë kohe për ta zgjedhur, por për mungesë vullneti nga LVV-ja për të gjetur zgjidhje. Çitaku bëri të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancën për presidentin nëse kandidatët janë nga LVV-ja.

“Ne nuk shkojmë në sallë për të bërë kuorum dhe për t’iu nënshtruar vullnetit politik të Albin Kurtit. PDK-ja ka qenë jashtëzakonisht konstruktive dhe është munduar që vendit t’i japë president. Mirëpo, çfarë ka kërkuar Kurti është nënshtrim ndaj vullnetit politik.”, tha Çitaku.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, e quan të pakuptimtë dhe të papranueshme kërkesën e kryeministrit Kurti që partitë opozitare ta mbështesin Glauk Konjufcën për president. Lushaku sqaroi se në seancën për presidentin do të merrnin pjesë vetëm nëse do të kishte kandidat konsensual; ndryshe, do ta bojkotonin çdo tentim të LVV-së.

“Nëse ka propozime partiake, siç ka qenë herën e kaluar, absolutisht jo. Ne shkojmë në seancë për t’i dhënë vendit një president ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës, por jo një zgjatim të një partie të madhe, e cila tenton t’i kapë të gjitha institucionet kryesore.”, tha Lushaku.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahir parti e cila nuk ishte ftuar në takimet e Kurtit për presidentin tha se synimet e kryeministrit nuk kanë qenë për zgjedhjen e një presidenti konsensual, por tw LVV-sw. Deputeti Tahiri tha se AAK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën për presidentin.

“Nuk do të marrim pjesë në seancë ku do të jenë dy kandidatë të propozuar nga një parti.”, tha Tahiri.

Të hënë Kuvendi ka paraparë të mbajë senacë, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se nuk ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të ri.

‘’Do të doja të ishte ashtu por ende jemi në pritje të një konsensusi.’’, Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese, më 25 mars, vendosi një afat prej 34 ditësh që deputetët e Kuvendit duhet ta zgjedhin presidentin e ri; në të kundërtën, vendi shkon automatikisht në zgjedhje. Njëherësh, në vendim sqarohet se deputetët nuk mund t’i nënshtrohen asnjë mandati detyrues nëse duhet apo jo të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit./RTV21/21Media

Back to top button