PDK e çon në Kushtetuese katër çështje për seancën konstituive

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Në një njoftim për media, PDK-ja ka njoftuar se ka kontestuar “kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë, hedhjen në votim të këtij komisioni, vetë votimin e komisionit dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit”.
“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në reagim të PDK-së.
PDK-ja ka kërkuar nga Kushtetuesja ta shpallë antikushtetues çështjen e votimit të komisionit të fshehtë, vendimin për ndërprerjen e seancës dhe të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të hapur.
“Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën”, thuhet në njoftim të PDK-së.