PDK e LDK kërkojnë nga qeveria t’i plotësojë kërkesat e policisë

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar nga qeveria të plotësojë kërkesat e policisë, për sigurimet shëndetësore, shtesat, pagesën e rrezikshmërisë dhe pensionimin e parakohshëm.

Në Kuvendin e Kosovës në seancën e re plenare, pas përfundimit të debatit për Raportin e Progresit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri,  përgëzoi aksionin e sotëm të policisë për arrestimin e katër personave dhe neutralizimin e një të dyshuarit për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë.

Ai në deklarimet jashtë rendit të ditës nënvizoi nevojën që ekzekutivi në kuadër të projekt-buxhetit për 2024 të përfshijë kërkesat e policisë.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi shprehu mbështetjen ndaj policisë, derisa tha se vendi po kalon në një situatë të vështirë në aspektin e sigurisë.

Megjithëse pa praninë e shumicës së deputetëve të mazhorancës, kryeparlamentari Glauk Konjufca vazhdoi seancën duke shqyrtuar pikat e tjera të rendit të ditës, ku deputetët e PDK-së dhe LDK-së kundërshtuan Projektligjin për Fondin Sovran, derisa paralajmëruan se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Back to top button