PDK: Haga, përpjekje për ndëshkim politik të çlirimtarëve – në shërbim të narrativës së rreme serbe

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar fuqishëm pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënimin me nga 45 vjet burgim për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Përmes një reagimi në Facebook, PDK thekson se Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë po ndërmerr përpjekje për ndëshkim politik të çlirimtarëve, duke shërbyer narrativës së rreme serbe.
“Në ditën e parë të fazës përmbyllëse të gjykimit u bë e qartë se nuk kemi të bëjmë me një proces të zakonshëm gjyqësor, por me një përpjekje të hapur për të deformuar të vërtetën historike dhe për të ndërtuar një narrativë të rreme, ku lufta çlirimtare e popullit të Kosovës tentohet të paraqitet si projekt kriminal,” thuhet në reagim.
PDK nënvizon se UÇK-ja ishte një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë përballë regjimit shtypës dhe gjenocidal të Serbisë, dhe se ish-krerët nuk po gjykohen si individë të izoluar, por si simbole të rezistencës, çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës.
Sipas PDK-së, përpjekja për ta ndërlidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Partia konfirmon besimin e saj të plotë në pafajësinë e çlirimtarëve dhe në legjitimitetin e luftës së UÇK-së, duke theksuar se çdo përpjekje për kriminalizimin e saj është rishkrim i historisë dhe cenim i themeleve të shtetit të Kosovës.
“Liria nuk është krim. Dhe historia nuk mund të rishkruhet”, thuhet në përfundimin e reagimit të PDK-së.