PDK: I shfuqizuam institucionalisht 13 ligje antikushtetuese të Qeverisë Kurti

Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, me të cilat janë shpallur antikushtetuese 13 ligje të miratuara nga Qeveria Kurti më 5 dhjetor 2024. Këto ligje ishin kontestuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së.
Sipas PDK-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare.
“Ky vendim përbën një konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare. Aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes.”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në reagimin e saj, PDK vlerëson se aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike, e jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes.
Partia Demokratike e Kosovës thekson se ky vendim nxjerr në pah rëndësinë e veprimit opozitar të përgjegjshëm dhe institucional, duke nënvizuar se PDK ka zgjedhur rrugën kushtetuese për të mbrojtur rendin juridik të vendit përballë, siç thuhet, një qeverisjeje me prirje të vazhdueshme antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit.
“Askush nuk ka të drejtë ta relativizojë apo ta shkelë Kushtetutën në emër të pushtetit momental”, thuhet në reagimin e PDK-së, duke ritheksuar se Kushtetuta është themeli i shtetit të Kosovës.
PDK ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional në mbrojtje të rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve, duke theksuar se shteti i së drejtës mbrohet çdo ditë dhe jo vetëm kur i konvenon pushtetit.