PDK ia kërkon Osmanit e Kurtit shkarkimin e ambasadorit Berishaj

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti që ta shkarkojnë ambasadorin Martin Berishaj, pas raportimeve se është përfshirë në një skandal financiar.
Përmes një komunikate, PDK ka thënë se e konsideron të domosdoshëm për të zbardhur deri në detaje përfshirjen e Berishajt në “Kartelin e Rrymës”, ndërlidhjet me kompaninë energjetike GEN-I me adresë në Serbi, si dhe për të zbuluar arsyet e fshehjes së deklarimit të pasurisë nga ana e tij.
“Krahas hetimit të plotë parlamentar, Partia Demokratike e Kosovës kërkon që presidentja dhe kryeministri të veprojnë me urgjencë për ta larguar nga detyra ambasadorin Martin Berishaj dhe për të zbardhur deri në detaje përfshirjen e tij në “Kartelin e Rrymës”, ndërlidhjet me kompaninë energjetike GEN-I me adresë në Serbi, si dhe për të zbuluar arsyet e fshehjes së deklarimit të pasurisë nga ana e tij”, thuhej në komunikatë.
PDK ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin këtë iniciativë që ka për qëllim kryesor transparencën e plotë para qytetarëve të Kosovës, rreth shpenzimit të mbi 100 milionë eurove nga qeveria aktuale, për blerje të energjisë elektrike gjatë krizës dhe shtrenjtimin e saj për qytetarët e Kosovës.
Opozita i bëri thirrje kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që të ndalojnë pengimin e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të zbardhë para opinionit publik shpenzimin e parasë së qytetarëve të Kosovës dhe lidhjet potenciale të “Kartelit të Rrymës” me Qeverinë e Kosovës gjatë krizës energjetike./21Media

Back to top button