PDK-ja do dërgojë në Kushtetuese vendimin e ZRRE-së për tregun e lirë të energjisë

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka njoftuar se ky subjekt politik do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e ZRRE-së për tregun e lirë të energjisë.

“Në konsultim me Avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRRE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave. Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Paraprakisht ai ka pëmrndur faktin se Gjykata Themelore kishte refuzuar të njëjtën kërkesë të tyre.

“Që nga fillimi jemi angazhuar me vendosmëri për ta ndalur ZRRE-në nga zbatimi i vendimit të saj të padrejtë, i cili i detyron mbi 1,300 biznese të dalin në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë – në kohën kur vetë ZRRE-ja nuk ka krijuar as kushtet minimale për një gjë të tillë.
Këtë betejë e nisëm në gjykatat e rregullta, duke përdorur çdo mjet juridik në dispozicion. Por, edhe pse provat ishin të qarta dhe pasojat për ekonominë e vendit evidente, Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën tonë, ndërsa Gjykata e Apelit e legjitimoi këtë refuzim, duke i hapur rrugë zbatimit të vendimit të ZRRE-së.
PDK do të jetë deri në fund në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës, për ta ndalur këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik.’, ka shkruar Krasniqi./21Media

Back to top button