PDK-ja e cilëson ligjëratën në shkolla për Specialen si tendencë për rishkrimin e historisë

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me ligjëratat e mbajtura në shkollat e Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një konferencë për media, tha se incizimet e publikuara në media dëshmojnë se gjatë këtyre prezantimeve, para nxënësve të mitur, është përdorur një gjuhë e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të arsimit dhe të një shoqërie demokratike.
“Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, u janë paraqitur pretendime të njëanshme, duke u etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Kjo është skandaloze dhe e papranueshme”, theksoi Gruda.
Ai shtoi se lufta çlirimtare e Kosovës nuk po sulmohet më vetëm në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por se e njëjta narrativë po tentohet të futet edhe në bankat shkollore.
“Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat dhe klasat e shkollave tona. Por e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohet në emër të ‘drejtësisë’ selektive, as të deformohet kujtesa kolektive në emër të ‘edukimit’,” tha ai.
Deputeti i PDK-së theksoi se shqetësimi i partisë është shumëdimensional. Ai përmendi rrezikun e indoktrinimit të nxënësve, përpjekjet për rishkrimin e historisë së Kosovës, si dhe shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Toni i përdorur në këto prezantime i trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke paragjykuar vendimin përfundimtar. Gjykatat e vërteta merren me drejtësi, jo me propagandë”, deklaroi Gruda.
Ai shtoi se kjo Gjykatë ka devijuar nga misioni i saj fillestar.“Ajo është dashur të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës dhe në heqjen e njollave ndaj UÇK-së, por është shndërruar në një mekanizëm që tenton të rishkruajë historinë”, u shpreh ai.