PDK-ja e gatshme të sjellë emër për president, por edhe të shkojë në zgjedhje

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se nuk kanë lëvizur nga qëndrimet që kandidati për president duhet të jetë një emër që nuk vjen nga një parti politike por është përfaqësim i të gjithëve.

Tahiri ka thënë se PDK-ja është e gatshme të propozojë emër për president por edhe të shkojë të zgjedhje nëse nuk gjindet zgjidhje.

“Ende nuk është faza që kemi folur në emra të përveçëm. Vullneti i Partisë Demokratike të Kosovës është të kontribuojë në interes të institucioneve të vendit dhe të shoqërisë. Nëse nuk do të mund të gjindet ndonjë emër ose nuk do të ketë disponim nga forca kryesore politike, PDK-ja është e gatshme gjithashtu të shkojë në zgjedhje. PDK-ja është e gatshme të sjellë edhe emër si kandidat për president të vendit”, ka thënë Tahiri.

I pyetur nëse kanë ndërruar qëndrim për emrin e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente edhe për një mandat të dytë, Tahiri ka thënë se nuk i bën nder vendit dikush që ka pasur qasje të njëanshme.

“Nuk dua të lëshohem në emra të përveçëm. Vendit nuk i bën nder dikush që ka pasur qasje të njëanshme dje, dikush që e përfaqëson vetëm një grup apo një subjekt por dikush që është mbi partitë politike”, ka potencuar Tahiri.

Tahiri ka shtuar tutje se nuk janë të interesuar për marrëveshje politike por për dikë që e përfaqëson vullnetin e qytetarëve pavarësisht se ata nuk e votojnë direkt.

“PDK-ja nuk është e interesuar për marrëveshje politike, është e interesuar të ketë qasje pozitive për institucionet dhe t’i plotësojë kriteret. PDK-ja e mbështet dikë që nuk e përfaqëson vetëm një parti politike, dikë që e përfaqëson edhe pozitën edhe opozitën por edhe vullnetin e qytetarëve që nuk e votojnë presidentin direkt. Dikë që ka reputacion edhe vendor edhe ndërkombëtar dhe i bën nder edhe shtetit të Kosovës edhe popullit të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Back to top button