PDK-ja fton partitë properëndimore t’i japin Kosovës një “qeveri të përgjegjshme”

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se e ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën, një proces i cili siç, thuhet në deklaratë ishte menduar të forconte marrëdhëniet ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes.

Në deklaratë thuhet se “ky zhvillim i rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti”.

“Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, SHBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se të gjitha forcat politike properëndimore duhet të bashkohen dhe “t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme”.

“Pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tani vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik, është bërë krejtësisht e qartë se vendi po rrëshqet në një drejtim të rrezikshëm për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Kjo është koha e fundit që të gjitha forcat politike properëndimore, me vetëdije shtetformuese, të bashkohen dhe t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në rrugëtimin e sigurt të integrimit euroatlantik – aspiratë e përhershme e popullit të Kosovës.

Back to top button