PDK-ja kërkon komision hetimor për kontratat njëburimore

Partia Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve për themelimin e komisionit hetimor lidhur me kontratat njëburimore.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se pushteti ka keqpërdorur 150 milion euro përmes këtyre kontratave.

“Pushteti i Albin Kurtit, vetëm në shtatë institucione, ka keqpërdorur mbi 150 milion euro taksa të qytetarëve përmes kontratave njëburimore që janë burim i korrupsionit. Ky skandal duhet dhe do të hetohet deri në fund. Jo vetëm këto kontrata por edhe miliona eurot e tjera, shpenzimi i të cilave është bërë në mënyrë të kundërligjshme”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që sipas tij duhet ta ushtrojë Kuvendi.

“Në të kundërtën, çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit të këtij komisioni është dëshmi e qartë e panikut dhe frikës për t’u ballafaquar me faktet dhe të vërtetën e cila herët ose vonë do të triumfojë. Hetimi do të ndodhë patjetër”, ka përfunduar ai.

Back to top button