PDK-ja kërkon të vazhdojë seanca për formimin e komisionit
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që sot të formohet Komisioni Hetimor për energjinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se tash e dy muaj opozita po mundohet të formojë komisionin pasi sipas tij, është e drejtë kushtetuese.
“Ndryshe prezenca jonë këtë seancë pa realizimin e kësaj të drejte nuk ka kurrfarë kuptimi. Po kërkojmë që kjo seancë të mos vazhdojë, ta gjejmë një zgjidhje për themelimin e Komisionit”, ka thënë Tahiri.
Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se pajtohen plotësisht që duhet të themelohet komisioni dhe të kthehet Kuvendi në normalitet.Por sipas saj, ajo çka nuk pajtohet pushteti është për ta themeluar komisionin në mënyrën që e ka proceduar opozita herën e dytë, pasi thotë se duhet ta shkelin ligjin.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se mënyra e sjelljes së pushtetit po e paaftëson vendimmarrjen në Kuvend dhe kjo është vështirësim i nivelit të demokracisë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka mbështetur kërkesën e opozitës për themelim të komisionit hetimor parlamentar për çështjet e energjisë.
Megjithatë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar që do të marrin pjesë në votimin për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese./21Media