PDK kërkon drejtësi për 1 mijë e 617 të pagjeturit

Partia Demokratike e Kosovës bëri sot homazhe te monumenti i personave të pagjetur në Prishtinë.
Kjo ditë sipas tyre, edhe sot 23 vjet pas përfundimit të luftës, mban të hapur plagët e qindra familjeve kosovare të cilat ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre.
“1617 qytetarë të Kosovës, të të gjitha moshave e gjinive, shumica absolute civilë të pafajshëm, figurojnë akoma të zhdukur. Rrjedhimisht, lufta për këto familje nuk ka mbaruar – ajo sfidon çdo ditë jetën e tyre. Të gjithë, me mendje e zemër jetojnë për lajmin që presin t’u vijë nga larg. Fatkeqësisht, këto thirrje dëshpëruese të nënave e baballarëve kosovarë vazhdojnë të hasin në veshin e shurdhër të shtetit serb. Asnjë informatë, asnjë përpjekje, asnjë pendim për krimet që kanë kryer në Kosovë, përkundrazi, mohues që edhe sot po vazhdojnë të fshehin krimet”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Drejtësia, thonë ata tutje, është vonuar me familjet e të pagjeturve. Ata urojnë që kjo pritje të marrë fund shumë shpejtë.
“Zbardhjen e fatit të tyre dhe dënimin e përgjegjësve Kosova do ta kërkojë gjithmonë. Pa zbardhjen e qytetarit të fundit që figuron i zhdukur, Kosova nuk do të gjejë asnjëherë qetësinë e saj!”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button