PDK kundër rritjes së çmimit të rrymës: Qeveria të mos e ngarkojë xhepin e familjeve 

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci përmes një konference për media ka shprehur shqetësimin e kësaj partie lidhur me propozimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, gjë që do ta godas rëndë xhepin e qytetarëve të e Kosovës, tashmë të rënduar nga përballja me pandeminë.
Stavileci duke thënë se pak më shumë se një dekade shtet, Qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim dhe me vetëdije të plotë po e kthen vendin tek subvencionimi i tarifave dhe te reduktimet, ka theksuar se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston shpenzimit të 70% të konsumatorëve të tjerë.
Kjo pritet të jetë rritja më madhe e çmimit të energjisë elektrike në historinë e vendit dhe PDK e kundërshton fuqimisht këtë veprim.
“Rritja reale totale është 42%, por për shkak të blloktarifave, rritja te konsumatorët 800 dhe 1000 kW/h është 57% dhe 87%. Pra, përsërisim se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston e rritjes të krejt sistemit apo të 70% të konsumatorëve të tjerë. E në fakt kemi të bëjmë me më shumë se 50% nëse llogariten amvisëritë reale ku jetohet dhe punohet çdo ditë e të cilat shpenzojnë më shumë se 600 kW/h në muaj”, ka thënë ai.
Stavileci ka thënë se absurdi më i madh në gjithë këtë konfuzion dhe pasiguri të krijuar nga ana e Qeverisë, është se kjo rritje nuk po ndodhë si rezultat i investimeve të reja në funksion të sigurisë së furnizimit, por si rezultat i zhvendosjes së sigurisë sonë të furnizimit në tregun rajonal të importit.
“Përsëri i bëjmë thirrje Qeverisë që të tregohet e përgjegjshme, të dëshmojë aftësi dhe kompetencë, e jo padrejtësi dhe diskriminim, që qytetarëve t’u sigurojë energji të mjaftueshme pa ngritje të çmimeve”, ka thë Stavileci.
Bazuar në zotimin e Qeverisë së Kosovës se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRrE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj. ZRrE ka propozuar që çmimi i rrymës të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800 kWh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojnë as subvencioni i Qeverisë./21Media

Back to top button