PDK: Nuk do të lejojmë që të kalojë ligji për zyrtarët publikë

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda ka reaguar pasi që Qeveria e Kosovës ka miratuar ligjin për zyrtarë publikë.

Gruda ka thënë se Qeveria nuk mori parasysh një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për këtë ligj.

“Qeveria ka lënë në fuqi dispozitat që përcaktojnë se pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të jenë me mandat 4-vjeçar, në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte përcaktuar se emërimet në këto pozita para hyrjes në fuqi të Ligjit bazë për Zyrtar Publik nuk i nënshtroheshin emërimit me mandat, por mbajnë vendet e tyre të punës sipas aktemërimeve që kanë pasur”, ka shkruar Gruda në “Facebook”.

Tutje, Gruda ka shtuar se kjo është një fazë e re e shkeljes së Kushtetutës së Kosovës nga Qeveria dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dispozitat jokushtetuese përfshihen në ligje.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta lejoj këtë arbitraritet”, përfundon Gruda.

Miratimin e këtij ligji e ka kundërshtuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) duke thënë se ky ligj si i tillë, përbën rrezik për demokracinë./21Media

Back to top button