PDK nuk i përgjigjet ftesës së Kurtit pa e ditur temën e takimit

Ftesa e kryeministrit, Albin Kurtit për një takim ka mbërritur edhe në postën elektronike të zyrës së PDK-së. Megjithatë, kryetari i partisë nuk ka vendosur ende se a do të marrë pjesë në këtë takim.
Siç thuhet në përgjigjen e PDK-së për portalin rtv21.tv në ftesën e pranuar mungojnë të dhënat kryesore se cila është tema e takimit, andaj kjo parti fillimisht pritet të kërkojë informacione shtesë nga zyra e kryeministrit.
“Para pak minutash kemi pranuar një e-mail nga Kabineti i Kryeministrit, nëpërmjet të cilit ështe ftuar kryetari i PDK-së Memli Kransiqi për takim të përbashkët me krerët e subjekteve opozitare dhe kryeministrin. Por, në këtë e-mail nuk është specifikuar tema dhe agjenda takimit. Pasi të marrim informacione të sakta nga Zyra e Kryeministrit për qëllimin dhe agjendën zyrtare të takimit, kyetari do të vendosë se a do të merr pjesë në këtë takim apo jo”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Komunikimit të PDK-së për portalin rtv21.tv.
Portali rtv21.tv ka provuar të marrë përgjigje edhe nga zyra e kryeministrit, megjithatë ata nuk janë përgjigjur.
Ndërsa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit. Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv, zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka. Mirëpo, nuk kanë dhënë detaje të tjera për kohën e takimit./21Media

Back to top button