PDK thotë se Raporti i progresit dëshmon paaftësinë e Qeverisë Kurti

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra sot në një konferencë për media thanë se Raporti i progresit dëshmon edhe një herë paaftësinë e Qeverisë Kurti për tu marrë me problemet reale të qytetarëve të Kosovës.

“Kjo Qeveri nuk ka shënuar progres në fuqizimin e gjyqësorit. Kjo tregon për paaftësinë e tyre në fuqizimin e sundimit të ligjit. Ndërkaq, nënvizohet mungesa e vullnetit nga Qeveria për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Tahiri.

 Më tej, sipas komunikatës, Tahiri tha se është pikërisht kontributi i opozitës që ka bërë që raporti të jetë i kënaqshëm në disa fusha.

“Ne dallojmë shumë me mënyrën e të bërit opozitë me partinë në pushtet. Edhe si opozitë, kemi dhënë kontributin tonë në secilën mundësi për ti garantuar progres vendit. Prandaj, si Grup Parlamentar, ne i këmi dhënë mbështetje 30 marrëveshjeve ndërkombëtare, për dallim nga e kaluara e Vetëvendoses. Për më tepër, si opozitë ne i kemi dhënë mbështetje Qeverisë edhe për Vetingut – çka e evidenton raporti i progresit”, u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu-Kodra deklaroi se sfidat e raportit për vendin janë të mëdha dhe të njëjtat, do t’i trajtojnë edhe në Kuvendin e Kosovës përmes një seance që do ta thërrasin.

 “Raporti vërteton se nuk ka asnjë reformë të rëndësishme në aspiratën e Kosovës për integrim. Raporti vë theks në veprimet në lidhje me sundimin e ligjit, në reformat në Administratë Publike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e deri te veprimet e mangëta për të luftuar informalitetin e ekonomisë. Shqetësuese mbetet edhe gjuha linquese që është përdorur ndaj gazetarëve”, u shpreh Deliu-Kodra.

Ndërkaq, sa i përket punës së Kuvendit, Tahiri tha se raporti thekson se ka një mazhorancë stabile në kuptimin e numrave, por të dobët në menaxhimin e tyre.

Tahiri komentoi edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me raportin për vendin.

“Ajo ishte më shumë një konferencë për shtyp, ku Vetëvendosje mundohet ti jap mësim Bashkimit Evropian e kritika si ajo po e trajton Serbinë. Sesa që folën për raportin e progresit. Besoj që Bashkimi Evropian ka qenë i vëmendshëm për të marrë këshilla nga Vetëvendosje. Të arriturat që i përmendën ata, janë kryesisht legjislative të cilat shumicën i kemi mbështetë ne”, përfundoi Tahiri./21Media

Back to top button