PDK: VV, Guxo e Alternativa kanë marrë peng themelimin e institucioneve të reja

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka diskutuar sot për krizën politike të krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Në këtë takim u tha se po Kosova po përballet me një bllokadë të rrezikshme institucionale për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, në mungesë të shumicës parlamentare, kanë marrë peng themelimin e institucioneve të reja.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ritheksuar në takimin me presidenten Vjosa Osmani më 15 maj, se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re nga partitë që kanë qenë në opozitë.
Ai ka njoftuar se i ka kërkuar presidentes që t’i drejtohet me pyetje kushtetuese Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kandidatit për kryetar të Kuvendit, me qëllim që të sqarohen pozicionet institucionale dhe juridike në këtë situatë.
Krasniqi informoi Kryesinë edhe për takimin që ka zhvilluar me kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike të Kosovës, me qëllim të përgatitjeve për zgjedhjet lokale. Ai ka vlerësuar lart angazhimin dhe punën e tyre në funksion të organizimit sa më efikas dhe të suksesshëm të strukturave të partisë nëpër të gjithë vendin.
Kryesia e PDK-së ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për refuzimin e kërkesës për lirimin me kusht të Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
PDK vlerëson se pas përfundimit të fazës së prokurorisë dhe në mungesë të rrezikut për ndikim në proces, lirimi me kusht ka qenë një e drejtë e pritshme dhe e arsyeshme, ndërsa refuzimi i saj përbën mohim të një të drejte themelore, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të drejtësisë.