Peci: Diaspora nuk është vetëm votë, duhet trajtim tjetër

(Lajm i përditësuar)
Peci: Diaspora nuk është vetëm votë, duhet trajtim tjetër
Analisti Lulzim Peci në ”Click” të RTV21 ka kritikuar qasjen aktuale ndaj diasporës në Kosovë, duke theksuar se trajtimi i saj vetëm si një trup elektoral është i pamjaftueshëm.
Ai shtoi se kurrë nuk është menduar seriozisht se si të ndryshohet raporti i shtetit me diasporën përtej thjesht votës.
“Me u trajtu diaspora si trup elektoral dhe vetëm si votë për mua është e pakuptimtë. Në Kosovë kurrë nuk është menduar se si të ndryshohet logjika e raportit të shtetit me diasporën”, tha Peci.
Peci: Shumë pak është rregulluar në veri, ndikimi i Serbisë vazhdon
Peci: Qarqe ekstremiste tentuan ndërhyrje politike përmes Kishës Ortodokse Serbe
Analisti politik Lulzim Peci ka folur për situatën në veri të vendit, duke theksuar ndikimin financiar të Serbisë në komunitetin serb, përpjekjet e qarqeve ekstremiste për instrumentalizim fetar, si dhe problemet e vazhdueshme me kontrabandën.
Ai vlerësoi se, pavarësisht disa zhvillimeve, shumë pak është rregulluar realisht në veri, teksa shtoi se ”10 mijë persona të komunitetit serb punojnë në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, dhe një numër i madh merr ndihma financiare nga Serbia.
“Në veri po shohim se çka është duke ndodhur. Ka filluar me simbole, ka qenë një përpjekje e qarqeve ekstremiste ta shtyjnë Kishën Ortodokse Serbe që atë ditë, kur është marrë pushteti lokal në veri, të bëhet një procesion në rrugë, por Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë e ka refuzuar këtë kërkesë, me dalë dhe me bo procesion fetar në rrugë. Ndihma financiare që vjen nga Serbia duhet të vijë përmes Bankës Qendrore. Shumë pak është rregulluar në veri, kontrabandë ka me pas edhe në të ardhmen”, tha Peci.
Peci: Opozita duhet t’i pranojë gabimet për të rikthyer besimin e qytetarëve
Analisti politik Lulzim Peci në ”Click” të RTV21 ka kritikuar opozitën për mungesë të artikulimit të sukseseve të saj të kaluara, duke theksuar se frika nga demonizimi dhe mospranimi i gabimeve kanë ndikuar në dobësimin e saj politik.
Sipas tij, fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2021 nuk ishte e rastësishme, por rezultat i ndryshimeve në elektorat.
“Opozita nuk po është në gjendje me i artikulu sukseset e saj prej të kaluarës për frikës që do të demonizohet dhe kjo frikë është pafatësia e tyre me i pranu gabimet që i kanë bërë. Nëse i kishin pranu gabimet, do të ishin më të fortë dhe do ta kishin besimin më të madh. Fitorja e VV-së në 2021 nuk është ngjarje e rastit, ka të bëjë me ndryshimin e elektoratit. Është e udhës që opozita t’i pranojë gabimet”, tha Peci./RTV21/21Media